Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) miratoi një rezolutë që bën thirrje për "hapa urgjente" për të lejuar menjëherë qasjen "të sigurt, të papenguar dhe të zgjeruar" humanitare në Gaza.

Pas disa ditësh negociata intensive dhe vonesa, rezoluta e paraqitur nga Emiratet e Bashkuara Arabe u miratua me një votim 13-0, ku abstenuan vetëm SHBA dhe Rusia, të dyja anëtare të përhershme të këshillit.

Rezoluta kërkon që palët në konflikt të lejojnë dhe të lehtësojnë përdorimin e të gjitha rrugëve të disponueshme në të gjithë Rripin e Gazës, duke përfshirë pikat kufitare, për të siguruar që personeli humanitar dhe ndihma të arrijnë tek popullata civile në nevojë.

Rezoluta kërkon që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, të emërojë një "koordinator të lartë humanitar dhe rindërtim" për të përshpejtuar dërgimin e ndihmës humanitare për popullsinë civile në Gaza.

Votimi i rezolutës ishte veçanërisht i rëndësishëm pasi që nga 7 tetori, disa rezoluta të KS-OKB-së mbi konfliktin në Gaza nuk u miratuan për shkak të vetos nga anëtarët e tij të përhershëm, duke bërë që disa liderë dhe vëzhgues botërorë të vënë në dyshim efektivitetin e këshillit.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi, sipas autoriteteve shëndetësore të enklavës, duke vrarë të paktën 20.057 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur mbi 53.320 të tjerë.

Sulmet izraelite e kanë shndërruar Gazën në gërmadha me gjysmën e banesave të territorit bregdetar të dëmtuara ose shkatërruara dhe me pothuajse 2 milionë njerëz të zhvendosur brenda enklavës me një popullsi të dendur mes mungesës së ushqimit dhe ujit të pastër./aa