Vllaznia ka arritur të marrë një fitore të madhe në Shkodër ndaj Skënderbeut me shifrat 5-0.

Pjesa e parë është mbyllur me shifrat 1-0, ku autori i golit të parë ishte Gruda. Në të dytën, vendasit reagojnë përsëri, ku në fillim të intervalit të dytë kohor ishte përsëri Gruda i cili ndëshkon korçarët. Pritej një reagim nga miqtë, por nuk erdhi, pasi ishin përsëri vendasit të cilët trefishojnë rezultatin me Bekim Balaj.

Pak minuta më vonë, Gruda shënon golin e tij të tretë personal në këtë sfidë dhe të katërtin për Vllazninë, duke vulosur kështu tre pikët. Por në fundin e lojës, Vllaznia shënon edhe golin e pestë duke turpëruar kështu Skënderbeun.

Me këtë rezultat, Vllaznia ngjitet në vendin e tretë me 26 pikë, ndërsa Skënderbeu ndodhet në vendin e gjashtë me 22 pikë.

Në “Niko Dovana” ka qenë një ndeshje emocionuese mes Teutës dhe Dinamos, ndeshje e cila përfundoi me fitoren e kryeqytetasve me shifrat 1-2.

Fillimisht ishte Dinamo i cili kaloi në avantazh me anë të Vilës, ndërsa më vonë ishte Daci i cili barazoi rezultatin për durrsakët. Por ende pa përfunduar pjesa e parë, ishte Vila përsëri për Dinamon i cili kaloi kryeqytetasit në epërsi.

E dyta ishte intensive dhe me raste të shumta, ku atëherë kur nuk pritej, Teuta shënon golin e barazimit, por VAR ndërhyri dhe anuloi gjithçka, duke i shuar kështu festën vendasve.

Me këtë rezultat, Teuta ndodhet në vendin e fundit të tabelës me 16 pikë, ndërsa Dinamo ngjitet në vendin e pestë me 22 pikë.