Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar, Fidel Ylli dhe Sekretari i Përgjithshëm, Gerti Shima pritën në një takim të veçantë në zyrat e KOKSH, presidentin e Federatës Evropiane të Volejbollit CEV, Aleksandar Boricic, i cili shoqërohej nga zv/presidenti i CEV, Renato Arena dhe nga presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi.

Presidenti Ylli bëri një prezantim të gjerë të punës që KOKSH është duke zhvilluar përgjatë dy viteve të fundit, ndërsa e vendosi theksin edhe te projektet ku Komiteti Olimpik po bashkëpunon me Federatën e Volejbollit.

Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli u shpreh i lumtur për zhvillimin që volejbolli ka marrë së fundmi në Shqipëri dhe solli në vëmendje mbështetjen e veçantë që KOKSH po i jep volejbollit përmes projektit të Ekipeve Sportive në Shkolla, ku volejbolli është një prej disiplinave që ka marrë shumë vëmendje./ata