Bizneset shqiptare kanë shitur jashtë vendit mallra më pak se vitin e kaluar. Referuar të dhënave të INSTAT, eksportet tona janë ulur me 9.8% nga janari deri në nëntor të këtij viti, në krahasim me 11 mujorin e vitit të kaluar. E përkthyer në vlerë monetare, eksportet gjatë kësaj periudhe zbritën në vlerën 3.9 miliardë euro, nga 4.3 miliardë euro që ishin në vitin e kaluar, duke u ulur me afro 427.5 milionë euro.

Kjo rënie e eksporteve sipas ekspertëve lidhet me zhvlerësimin e valutës kryesisht, pasi bizneset shesin në euro, dhe konvertimi i saj në lekë është shumë më ulët se në vitin e kaluar. E njëjta gjë edhe për dollarin i cili ka humbur rreth 11 pikë krahasuar me vjet. Por ndikim po jep edhe rënia e çmimeve për mallra të caktuara, siç është rasti i energjisë elektrike që po shitet e blihet shumë herë më lirë se në vitin 2022, kur çmimet kapën edhe vlera 1000 euro një megavat.

Tre janë industritë që kanë pasur rënien më të lartë në këtë periudhë.

“Eksportet, gjatë këtij njëmbëdhjete mujori janë ulur me -9,8 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -6,0 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,6 pikë përqindje”, thuhet në raportin e INSTAT.

Në vlerë janë ulur me rreth 256 milionë euro eksportet e materialeve të ndërtimit, e metaleve, ndjekur nga ulja eksporteve të energjisë me 91.9 milionë euro dhe me 70.8 milionë euro janë reduktuar eksportet e tekstileve dhe këpucëve.

Për shkak të rënies së eksporteve, industria e manifakturës ka paralajmëruar protesta, në rast se nuk ndërhyhet për kompensim të humbjeve të tyre, madje kanë dërguar edhe një letër në Ministri të Financave dhe në Bankën e Shqipërisë. Në rast se nuk gjendet një zgjidhje, kjo industri ka paralajmëruar se do të ketë protesta në fillim të vitit 2024.

“Rënia e vlerës së shitjeve nga forcimi i shpejtë i lekut dhe rritja e kostove direkte dhe ndikimi i inflacionit në shpenzimet e përditshme po krijojnë me shpejtësi ambientin e pafavorshëm për të vijuar më tej dhe po e detyrojnë pjesën dërrmuese të eksportuesve të mbyllin aktivitetet dhe të aplikojnë për status pasiv. Si masë e parë dhe urgjente, kërkohet vazhdimi i tavolinave teknike dhe gjetjen e zgjidhjeve për kapërcimin e situatës. Ndërkohë, masa të tjera të për shkallëzuara do të vijojnë të diskutohen, ku vendosmëria dhe bashkëpunimi shumëpalësh ka marrë vendimin që të zhvillohet së bashku me Sindikatat dhe me punonjësit e sektorëve eksportues “Protestë përballë Kryeministrisë” në ditët e para të muajit Janar”, thanë në konferencën e fundit shoqata Pro Eksport Albania.

Një përgjigje të tërthortë eksportuesit e morën në konferencën e fundit nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, i cili theksoi se ata ndërhyjnë në treg vetëm për të rritur rezervën valutore dhe për të garantuar stabilitetin e çmimeve, dhe jo për sektorë të caktuar.

“Ne do ta monitorojmë strikt tregun e këmbimit valutor. Banka e Shqipërisë nuk ka një objektiv të kursit të këmbimit, po e përsëris prapë pavarësisht se e kemi përsëritur shumë herë në të shkuarën, sepse është mirë që të ngulitet në mendjen e agjentëve financiarë dhe tregut valutor që ne nuk kemi një kurs këmbimit të synuar. Kursin e këmbimit sipas regjimit të tregut të lirë e përcakton tregu, pra kërkesë oferta dhe ndërhyrjet tona bëhen në ato raste kur ne shikojmë që plotësohen ato kritere dhe parametra të rregulloreve tona dhe nuk bëhen në funksion të grupeve të caktuara të interesit por në funksion të objektivave kryesorë të Bankës së Shqipërisë, që janë stabiliteti i çmimeve dhe stabiliteti financiar”, pohoi Sejko.

Aktualisht euro po këmbehet në vlerat 103-104 lekë, nga 116 lekë që këmbehej në vitin 2022, ndërsa dollari po këmbehet me 95 lekë, nga 110 lekë që shitej e blihej përafërsisht vitin e kaluar. Ky forcim i lekut përballë valutës pavarësisht se ka pasur ndikim pozitiv në mbajtjen nën kontroll të çmimeve, ka dhënë ndikim negativ në mbledhjen e të ardhurave kryesisht doganore. Të ardhurat nga TVSH-ja në doganë janë në rënë me mbi 7 miliardë lekë dhe efekti kryesor është si i kursit të këmbimit.

TOTALI I EKSPORTEVE
2022               4,354,956,876 euro
2023               3,927,419,010 euro
Rënia      -427,537,866 euro
TEKSTILE DHE KËPUCË
Eksportet 2022              1,214,660,043 euro
Eksporte 2023               1,143,771,066 euro
Rënia -70,888,977 euro
MATERIALE NDËRTIMI
2022           974,033,462 euro
2023           714,116,965 euro
Rënia -259,916,497 euro
ENERGJIA ELEKTRIKE
2022         934,244,354 euro
2023         842,329,564 euro
Rënia -91,914,790 euro