https://shqiptarja.com/lajm/cmimet-e-larta-frenojne-konsumin-u-ul-me-rreth-2-ne-vere-ecuria-me-e-dobet-qe-nga-pandemia-instat-nuk-u-rrit-as-nga-turistet-e-shumte

Shqipëria priti 4.6 milionë turistë gjatë tre muajve të sezonit veror, por ky fluks i lartë ndikoi shumë pak në rritjen e konsumit në vendin tonë.

Raporti i fundit i INSTAT tregon se konsumi i popullatës në tremujorin e tretë të këtij viti (korrik-gusht-shtator), është rritur me vetëm 2.06%, nga rreth 4.03% që ishte në tremujorin e dytë apo 3.05% në tremujorin e parë të 2023-shit

Ky ngadalësim i konsumit, gjatë kësaj periudhe i cili është ulur me rreth 2% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit, tregon se çmimet e larta kanë frenuar qytetarët që të shpenzojnë. Në këtë tremujor inflacioni ka qenë 4.1%, dhe rritja më e fortë ishte pikërisht tek mallrat e konsumit, e ndikuar më shumë nga produktet e shportës që u shtrenjtuan me 8.2%.  Parashikimet e Bankës së Shqipërisë flasin për pritje jo optimiste edhe për shpenzimet në vijim të familjeve, të cilat janë të prirura drejt kursimit.

Po ashtu ndikim në reduktimin e konsumit ka edhe ulja e popullsisë dhe emigrimi, pasi në 1 janar të këtij viti vendi kishte 31.807 banorë më pak se më 1 janar 2022.

Por teksa konstatohet ulja e konsumit të qytetarëve prej çmimeve, nga ana tjetër dëshmon edhe faktin që turistët që vizituan vendin nuk ishin konsumatorë të mëdhenj, dhe kanë shpenzuar më pak se vitin e kaluar nëpër bare, restorante, markete etj, kjo për faktin se një numër i madh vizitorësh të rajonit janë pushues një ose dy ditor.

Për shkak të konsumit të ulët të turistëve, qeveria ka kërkuar edhe nga bizneset e sektorit të turizmit të rrisin standardet e shërbimeve që të synohet turizmi i luksit.

Konsumi gjatë këtij nëntë mujori u rrit me vetëm 3.04%, që është shifra më e ulët e regjistruar që prej karantinës së shkaktuar prej COVID-19, pasi vjet konsumi në këtë periudhë u rrit me 8.17%, dhe në vitin 2021 u rrit me 4.2%.

KONSUMI FINAL I POPULLATËS
Tremujori i parë     +3,05%
Tremujori i dytë     +4,03%
Tremujori i tretë     +2,06%

KONSUMI I POPULLATËS
Janar-Shtator 2021       4.2%
Janar-Shtator 2022       8.17%
Janar-Shtator 2023       3.04%

POPULLSIA E SHQIPËRISË
Janar 2022     2.793.592 banorë
Janar 2023     2.761.785 banorë
Rënia                 -31.807 banorë