Revista prestigjioze spanjolle e udhëtimeve “Condé Nast Traveler” i ka kushtuar një shkrim plazheve më të bukura të Shqipërisë.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale shkrimin e botuar në revistën spanjolle, nga gazetarja Patricia Rey Mallén.
“10 plazhet më të bukura shqiptare sipas revistës prestigjoze të udhëtimeve “Condé Nast Traveler”, një super promovim i bregdetit tonë në edicionin spanjoll të saj, ndërsa rreth 38 mijë vizitorë kemi pritur nga Spanja në 6 muajt e parë të vitit, një treg tashmë jo më surprizë, por i konsoliduar”, theksoi Kumbaro.
Në shkrimin e botuar revista spanjolle shkruan ndër të tjera se “ndërsa veriu i vendit shquhet për malet, pjesa më jugore e tij ju fton të dorëzoheni në plazhet parajsore ku dielli, çadrat dhe Mesdheu gjenerojnë sinergji unike. Ajo që nisi si një sekret i hapur… nuk është më një sekret i tillë i hapur sot. Por ajo që është e sigurt është se plazhet e Shqipërisë janë një pushim veror që nuk do ta harroni kurrë”.
Në shkrim revista ka renditur plazhet më të bukura të vendit si; Ujin e Ftohtë në Vlorë, Llamanin në Himarë, Bunecin në Sarandë, Dhërmiun, Drimadhes, Qeparo, Gjipe, Gjiri i Gramës, Durrësin dhe Borshin.
Shqipëria edhe këtë vit vijon të promovohet nga mediet ndërkombëtare, ndërkohë që në 6 muajt e parë të këtij viti u vizitua nga 4.5 milionë turistë të huaj, të cilët kanë vizituar plazhet e bukura, parqet kombëtare etj./ata