Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë (KFOR) vazhdon të garantojë sigurinë me aktivitetet e saj patrulluese në zonën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ekipi i Anadollias ka monitoruar aktivitetet e patrullës tokësore të ushtarëve italianë si pjesë e KFOR-it në zonën kufitare në territorin e komunave veriore të Zveçanit dhe Zubin Potokut, ku jeton popullata me shumicë serbe. Situata ishte e qetë dhe ushtarët e KFOR-it janë parë gjithashtu duke patrulluar Liqenin e Ujmanit(Gazivodës) në rajonin kufitar.

Guglielmino Esercito, komandanti i njësisë italiane, i tha Anadollias se aktivitetet e patrullimit në rajonin e tij janë kryer me qëllim që të sigurohet një mjedis i sigurt dhe liria e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.

“Ne jemi të pajisur mirë dhe të trajnuar mirë. Fleksibiliteti ynë na jep aftësinë për t’u përballur me të gjitha llojet e sfidave në fushën e operacioneve, kështu që KFOR-i është i gatshëm të përballet me të gjitha llojet e sfidave,” tha komandanti i Esercito.

Grupi i armatosur i serbëve i cili më 24 shtator në Banjskë afër Zveçanit kreu një sulm ndaj Policisë së Kosovës me ç’rast mbeti i vrarë një polic i Kosovës, përmes rrugëve malore në rajonin verior kanë arritur të hyjnë dhe dalin nga territori i Kosovës. Pas atij sulmi, KFOR-i shtoi praninë dhe aktivitetet e patrullimit në rajonin kufitar.

Misioni i KFOR-it, mandati i të cilit është në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, aktualisht ka më shumë se 4,500 trupa nga 27 vende, duke përfshirë 21 anëtarë të NATO-s dhe 6 vende partnere.

Më 10 tetor të këtij viti, për herë të parë që nga viti 1999, kur KFOR-i ka qenë i pranishëm në Kosovë, Turqia mori komandën e forcave paqeruajtëse të NATO-s për një periudhë njëvjeçare. Gjeneralmajor turk Ozkan Ulutus mori postin e komandantit të KFOR-it. /tesheshi.com/