Qendrat e votimit në të gjithë Türkiye-n janë mbyllur pasi votimi në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vendit përfundoi në orën 17:00 sipas kohës lokale, raporton Anadolu.
Rreth 60,7 milionë qytetarë turq ishin të regjistruar për të votuar në Türkiye, ndërsa jashtë vendit ishin të regjistruar 3,4 milionë votues. Në këto zgjedhje, 4,9 milionë qytetarë kishin të drejtën e votimit për herë të parë.
Gjithsej 191.884 kuti votimi ishin vendosur për votuesit në mbarë vendit, të cilët kishin të drejtë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës nga ora 08:00 deri në ora 17:00 sipas kohës lokale.
Çdo votues kishte mundësi të hedh dy vota, një për presidentin dhe një për parlamentarët, të cilët do të shërbejnë për një mandat 5-vjeçar.
Numërimi i votave ka filluar për të përcaktuar rezultatin e garës presidenciale midis presidentit Recep Tayyip Erdoğan, i cili kërkon rizgjedhjen, kandidatit të opozitës më të madhe, Kemal Kılıçdaroğlu, dhe kandidatit Sinan Oğan.
Muharrem İnce, një kandidat tjetër presidencial, u tërhoq nga gara të enjten, por sipas autoritetit zgjedhor të vendit, pavarësisht tërheqjes së tij në "minutën e fundit", votat e hedhura për të do të pranohen si të vlefshme në përputhje me nenin 12 të ligjit nr. 6271.
Pavarësisht tërheqjes së tij nga gara presidenciale, partia e tij "Atdheu" (Memleket) mbetet në garë për ulëset në parlamentin prej 600 vendesh.
Mbi 24 parti politike dhe mbi 151 kandidatë të pavarur për deputetë ishin në garën e sotme në zgjedhje.
Në garë ishin pesë blloqe shumëpartiake: Aleanca Popullore, Aleanca Kombëtare, Aleanca ATA, Aleanca e Punës dhe Lirisë, si dhe Aleanca e Unionit të Forcave Socialiste.