Gazetarët libanezë të cilët po udhëtonin me automjetin e tyre shpëtuan në momentin e fundit nga sulmi i ushtrisë izraelite në rajonin kufitar në jug të Libanit.

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare libaneze të lajmeve NNA, avionët luftarakë izraelitë kryen 3 sulme pranë pikës kufitare të ushtrisë libaneze dhe Forcës së Përkohshme të Paqes të Kombeve të Bashkuara (UNIFIL) në luginën Hardali.

Bombat goditën në afërsi të automjetit i cili po transportonte gazetarët, përfshirë në mesin e tyre edhe Alin Saman një nga gazetarët e NNA.

Ndërsa në lajmin e publikuar në faqen e internetit të Al Manar TV me qendër në Bejrut i cili njihet për afërsinë me Hezbollahun, thuhet se në momentin e sulmit në atë pikë ndodhej edhe ekipi i kanalit televiziv.

Bëhet e ditur se është plagosur lehtë kameramani i Manar TV, Hızır Markiz dhe se ai është dërguar për trajtim në spitalin në rajonin Marjayoun.

Pas sulmit, ushtria libaneze ka mbyllur në të dyja anët rrugën për sigurinë e qytetarëve. Në videon e regjistruar derisa gazetarët kalojnë nga lugina Hardali shihet se pikërisht në mesin e rrugës para tyre bie një bombë dhe se ajo shpërthen në mënyrë të fuqishme.

Në sulmet që Izraeli ka kryer në jug të Libanit që nga 8 tetori kanë humbur jetën 26 civilë, mes të cilëve 3 gazetarë.

Po ashtu në përleshje janë vrarë 122 anëtarë të Hezbollahut, 5 civilë izraelitë dhe 7 ushtarë izraelitë./aa