Presidenti i SHBA-së, Joe Biden zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez lidhur me situatën në Gaza.
Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë thuhet se Biden në bisedën e tij me Sanchez-in diskutoi për zhvillimet e fundit në Izrael dhe Gaza.
Dy liderët shprehën angazhimin e tyre për të vazhduar përpjekjet për të siguruar "dërgimin e vazhdueshëm të ndihmave humanitare që shpëton jetë" për civilët në Gaza.
Duke nënvizuar rëndësinë e parandalimit të "përhapjes" së konflikteve në rajon, liderët diskutuan edhe për sulmet e Huthive në Jemen të cilat shënjestrojnë anijet izraelite në Detin e Kuq si reagim ndaj sulmeve të Izraelit kundër Rripit të Gazës nën bllokadë.
Në bisedën telefonike, Biden dhe Sanchez theksuan se vendet e tyre janë "të gatshme" të vazhdojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme si mbrojtja dhe siguria./aa