Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e së mërkurës në Selanik, ku një autobus ka marrë përpara 10 makina të parkuara.

 

Sipas mediave greke, aksidenti ka ndodhur rreth orës 7 të mëngjesit në rrugën Egnatia, ku një autobus turistik jashtë kontrollit ka përplasur fillimisht 3 makina të parkuara, të cilat morën me vete edhe 7 të tjera.

 

Policia bën me dije se janë dëmtuar rëndë të paktën gjashtë prej tyre.

 

Përveç automjeteve që kanë pësuar dëme të rënda materiale nuk ka pasur të lënduar pasi në autobus nuk ka pasur asnjë pasagjer tjetër përveç shoferit.

 

Për fat, nga aksidenti shoferi ka marrë lëndime të lehta, e ndërsa nuk raportohet për të tjerë persona të plagosur.

 

Shoferi, i cili do të merrte punëtorët për t’i çuar në vendet e tyre të punës, është në gjendje shoku dhe thotë se as nuk e di se si humbi kontrollin e mjetit. Sipas tij, ai nuk ka qenë as i përgjumur dhe as i lodhur.

 

Ndërkohë policia rrugore po kryen hetimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.