Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se njerëzit në Gaza po përballen me urinë dhe se shesin mallrat e tyre në këmbim të ushqimit.

Përmes platformës së medias sociale X, Ghebreyesus tha se në Gaza po përjetohet uri dhe zi buke. "Njerëzit ndodhen përballë urisë dhe në këmbim të ushqimit shesin mallrat e tyre. Prindërit mbesin të uritur në mënyrë që të ushqehen fëmijët e tyre. Kjo situatë është katastrofë në aspektin shëndetësor të njerëzve në Rripin e Gazës", theksoi Ghebreyesus.

Ai nënvizoi se konflikti që ka vazhduar gjatë ka penguar qasjen e ushqimeve të nevojshme dhe të ndihmave humanitare të tjera që shpëtojnë jetë.

"Për shkak të kushteve të vështira të dimrit, njerëzit e zhvendosur janë dyndur drejt strehimoreve dhe kjo do të rrisë në mënyrë të pashmangshme përhapjen e sëmundjeve", tha Ghebreyesus duke shtuar se më të rrezikuarit janë fëmijët, gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë fëmijët me gji dhe të moshuarit.

"OBSH-ja dhe partnerët e saj bëjnë thirrje për përmirësimin urgjent të sigurisë ushqimore përmes përshpejtimit të rrjedhës së ndihmave në Gaza për të ndaluar urinë. Duhet të sigurohen sërish shërbimet si shëndeti, uji i pastër si dhe ato higjienike dhe sanitare", potencoi kreu i OBSH-së./aa