Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, në fillim të javës së ardhshme do të vizitojë Rusinë, duke shënuar vizitën e parë që nga fillimi i "operacionit special ushtarak" i Moskës në Ukrainë në muajin shkurt të vitit 2022.

Ministria e Punëve të Jashtme e Indisë njoftoi se kryeministri Modi do të qëndrojë në Moskë më 8-9 korrik me ftesë të presidentit Vladimir Putin për të marrë pjesë në samitin e 22-të vjetor Indi-Rusi.

Samiti i fundit vjetor Indi-Rusi u mbajt më 6 dhjetor të vitit 2021 në New Delhi.

"Liderët do të shqyrtojnë të gjithë gamën e marrëdhënieve të shumë-anshme midis dy vendeve dhe do të shkëmbejnë pikëpamje mbi çështjet bashkëkohore rajonale dhe globale me interes të ndërsjellë", tha ministria.

Kremlini gjithashtu konfirmoi vizitën dhe tha se Modi do të takohet me presidentin Putin dhe zyrtarë të tjerë rusë për disa raunde bisedimesh.

"Bisedimet me presidentin rus Vladimir Putin do të mbulojnë perspektivat për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tradicionalisht miqësore ruso-indiane, si dhe çështje të rëndësishme në agjendën ndërkombëtare dhe rajonale", thuhet në njoftimin e ministrisë.

Modi më pas do të udhëtojë në Austri më 9-10 korrik.

"Kjo do të jetë vizita e parë e një kryeministri indian në Austri në 41 vjet", tha ministria, duke shtuar se Modi do të takojë presidentin Alexander Van der Bellen dhe do të zhvillojë bisedime me kancelarin Karl Nehammer.

Kryeministri indian do të bashkëveprojë gjithashtu me komunitetin e diasporës së kombit të Azisë Jugore në Moskë dhe Vjenë.

Vizitat e kryeministrit Modi pasojnë rizgjedhjen e tij për një mandat të tretë radhazi. Ai e vizitoi Rusinë për herë të fundit në vitin 2019 për një forum ekonomik në portin e largët lindor Vladivostok. Vizita e tij e mëparshme në Moskë u zhvillua në vitin 2015./aa