Ushtria izraelite ka vrarë edhe dy gazetarë të tjerë palestinezë në sulmet e kryera në Rripin e Gazës.

Në një deklaratë nga Zyra për media e Qeverisë në Gaza thuhet se në sulmet e Izraelit janë vrarë gazetari Mohamed Younis al-Zaytouniyah, inxhinier zëri (audio) në radion palestineze Al-Rai dhe gazetari Mohamed Abdel-Khaleq Al-Af, një nga fotoreporterët e agjencisë palestineze të lajmeve Al-Rai.

Theksohet se të dy gazetarët kanë humbur jetën si pasojë e bombardimit izraelit ndaj shtëpisë së familjes Zaytouniyah në Gaza dhe se ka arritur në 103 numri i gazetarëve të vrarë në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori e deri më tani.

Në një deklaratë më parë nga Zyra për media thuhet se "Izraeli i vret gazetarët në Gaza në mënyrë të qëllimshme me synimin për të heshtur të vërtetën e Palestinës, për të fshehur dhe parandaluar që lajmet dhe informacionet të mbërrijnë tek opinioni rajonal dhe ndërkombëtar"./aa