Ushtria izraelite ka vrarë 47 palestinezë në jug të Rripit të Gazës të cilën e mban nën bombardime.
Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, forcat izraelite vazhduan sulmet e tyre ndaj rajoneve të ndryshme të Rripit të Gazës duke shënjestruar shumë gra, fëmijë dhe palestinezë të zhvendosur.
Në bombardimet që kanë vazhduar që nga mbrëmë e deri më tani në pjesët qendrore të Gazës, forcat izraelite kanë vrarë 40 palestinezë dhe plagosur dhjetëra tjerë, ndërsa vihet në dukje se dhjetëra palestinezë janë plagosur si pasojë e bombardimit të një shtëpie të familjes "Abu Al-Avf" në perëndim të qytetit të Gazës.
Ndërsa në Khan Younis, forcat izraelite vendosën në objektiv shtëpinë e familjes "En-Nebris" ku vranë një palestinez dhe plagosën 4 të tjerë.
Në spitalin "Nasser" në rajon janë sjellë trupat e pajetë të 3 palestinezëve që ushtarët izraelitë vranë gjatë orëve të natës në kryqëzimin Abu Hamid në qendër të Khan Younis. Në një deklaratë nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze thuhet se një mjet ajror pa pilot i ushtrisë izraelite shënjestroi spitalin "Al-Amal" duke vrarë 13-vjeçarin Emir Rami Avde i cili ndodhej brenda spitalit.
Gjatë shënjestrimit të tyre ndaj rajonit Man në lindje të Khan Younis, forcat izraelite vranë 2 palestinezë dhe plagosën shumë të tjerë.
Avionët luftarakë dhe obusët e ushtrisë izraelite shënjestruan shtëpitë e civilëve në rajonin Jabalia në veri të Rripit të Gazës. Forcat izraelite kryen bastisje ndaj shkollës "Al-Rafi" në rajon ku arrestuan shumë persona dhe nxorën gratë nga shkolla me forcën e armëve.
Ushtria izraelite shënjestroi me bomba me fosfor dhe tymuese rajonet Jabalia dhe Al-Jurn. Ushtarët izraelitë të cilët kanë pushtuar rajonin, kanë vazhduar përpjekjet e tyre për të përparuar drejt qendrës së Jabalia-s.
Nëpër rrugë dhe bulevarde në Jabalia kanë mbetur shumë të plagosur dhe trupa të palestinezëve të vrarë për shkak se forcat izraelite penguan transportin e ekipeve shëndetësore.
Thuhet se forcat izraelite në pjesët qendrore të Rripit të Gazës intensifikuan zjarrin e tyre të artilerisë./aa