Të paktën 40 palestinezë u vranë dhe mbi 60 të tjerë u plagosën këtë mëngjes në sulmet ajrore izraelite në një kamp në qytezën Khan Younis në pjesën jugore të Rripit të Gazës.
Dëshmitarët okularë thanë se Izraeli goditi zonën Al-Mawasi, një zonë e përcaktuar si humanitare, me të paktën tre raketa.
Të paktën 20 tenda ku po qëndrojnë palestinezët e zhvendosur janë djegur nga zjarri, ndërsa raketat shkaktuan edhe kratere të thella.
Një zyrtar i emergjencës civile në Gaza madje tha se kishte rreth 65 viktima dhe ekipet ende po hetojnë për të vdekurit dhe të plagosurit nga zona.
Zyrtari tha se ekipet janë përballur me vështirësi për të kërkuar viktimat që mund të ishin varrosur.
Teksa ushtria izraelite pretendoi se "goditi terroristët e Hamasit që vepronin brenda një qendre komandimi dhe kontrolli të ngulitur brenda zonës humanitare në Khan Younis", Hamasi mohoi akuzat, duke thënë se kjo është "një gënjeshtër e qartë që synon të justifikojë këto krime të shëmtuara".
Në luftën e vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës, që zgjat tashmë gati një vit, janë vrarë rreth 41.100 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa janë plagosur afro 94.800 të tjerë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Një bllokadë e vazhdueshme e enklavës ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, duke lënë pjesën më të madhe të rajonit në gërmadha.
Izraeli përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza./aa