Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin deklaroi se në kuadër të Komonuelthit të Shteteve të Pavarura (CIS) do të vazhdojnë punën e tyre të përbashkët për mbështetjen e sigurisë dhe stabilitetit në kontinentin Euroaziatik.

Në një deklaratë nga pallati i Kremlinit thuhet se liderët e vendeve anëtare të Komonuelthit të Shteteve të Pavarura zhvilluan takim jozyrtar në qytetin Shën Petersburg të Rusisë. Në fjalimin e tij, Putin tha se Rusia do të kryesojë Komonuelthin e Shteteve të Pavarura në vitin 2024 dhe se vendi i tij ka përgatitur një plan prej rreth 150 pikash lidhur me aktivitetet.

"Ne do të vazhdojmë punën tonë të përbashkët për mbështetjen e sigurisë dhe stabilitetit në kontinentin Euroaziatik dhe për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe korrupsionit", tha Putin.

Ai thekson se është zhvilluar bashkëpunimi mes vendeve anëtare në Komonuelthin e Shteteve të Pavarura.

"Vitin e kaluar vëllimi tregtar mes vendeve tona u rrit në mënyrë të qëndrueshme. Sipas të dhënave, vëllimi tregtar u rrit me 2 për qind në 10 muajt e fundit në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe arriti në 83.7 miliardë dollarë. Me partnerët tanë në Komonuelthin e Shteteve të Pavarura do të vazhdojmë punët tona për kalim në pagesat me njësinë e valutës kombëtare. Besojmë se kjo do të forcojë më shumë sovranitetin ekonomik dhe financiar të shteteve tona", tha Putin.

Presidenti rus foli edhe për marrëdhëniet që zhvillohen në fushën e kulturës. "Në periudhën ku Presidencën do ta ketë Rusia, forcimin dhe mbrojtjen e lidhjeve mes popujve tanë si dhe zhvillimin e miqësisë dhe fqinjësisë së mirë në Komonuelthin e Shteteve të Pavarura e shohim si detyrë parësore. Në këtë aspekt jemi të vendosur të punojmë ngushtë në mënyrë sa më të mundshme", tha ai./aa