Zv/kryeministri i Rusisë, Alexander Novak, ka deklaruar se miratimi i udhërrëfyesit për projektin e qendrës së gazit natyror në Türkiye, i propozuar nga presidenti rus Vladimir Putin në vitin 2022, është i pashmangshëm.

Zv/kryeministri Novak në një intervistë për kanalin televiziv rus "Rossiya-24" tha se projekti pritet të zbatohet në vitin 2024.

Projekti, aktualisht në fazat e tij fillestare, kërkon një udhërrëfyes. Novak shpjegoi se partnerët e tyre turq do të vizitojnë së shpejti qytetin rus Shën Petersburg, ku do të bëhet një shkëmbim përvojash dhe informacioni.

Përvoja ruse në këtë fushë, theksoi Novak, “do të jetë e dobishme për të krijuar një platformë dhe qendër elektronike në Türkiye”.

Ideja e një qendre të gazit në Türkiye për herë të parë u propozua nga presidenti Putin në tetor të vitit 2022. Gjithashtu edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, shprehu interes të konsiderueshëm për idenë.

Përpjekjet e vendit për t’u bërë një qendër e gazit natyror u rishfaqën në shtator të vitit 2023, kur Putin dhe Erdoğan u takuan në qytetin rus Soçi. Gjatë takimit të tyre u referua një udhërrëfyes midis kompanisë ruse të energjisë "Gazprom" dhe korporatës turke të naftësjellësit "BOTAŞ", me krijimin e një grupi të përbashkët pune që ishte masa e radhës.

Një qendër rajonale e gazit natyror do të kontribuonte në sigurinë e Türkiyes, si dhe në furnizimet me energji të Evropës.

Evropa është shumë e varur nga gazi natyror dhe importi, kryesisht nga Rusia. Megjithatë, pas luftës Rusi-Ukraina, Bashkimi Evropian (BE) u zotua se do të eliminojë të gjitha importet ruse të karburanteve fosile deri në vitin 2027./aa