Eksportet drejt Kosovës shënuan rritje me 8.9 % gjatë 11-mujorit të këtij viti, ndërsa importet ranë me rreth 4 miliardë lekë.
Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) mbi tregtinë e jashtme, eksportet drejt Kosovës gjatë periudhës janar-nëntor ishin 37.7 miliardë lekë, nga 34.6 miliardë lekë që ishin në 11-mujorin e 2022-shit.
Ndërkohë, importet për 11-mujorin llogaritën 10.6 miliardë lekë nga mbi 14.3 miliardë lekë që ishin në 11-mujorin e 2022-shit.
Eksportet kryesore të Shqipërisë drejt Kosovës përfaqësohen nga eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, mineraleve dhe lëndëve djegëse, ushqimeve si dhe produkteve kimike dhe plastike.
Të rëndësishme në strukturën e eksporteve shfaqen prodhimet vendase të drurit/ mobilierisë si ndenjëset (karrige e kolltukë) apo mobilie të tjera. Gjithashtu, edhe prodhimet bujqësore kanë peshë.
Gjatë kësaj periudhe, referuar të dhënave, Shqipëria ka eksportuar drejt Kosovës rreth 15.8 miliardë lekë materiale ndërtimi dhe metale dhe rreth 7.3 miliardë lekë minerale, lëndë djegëse, energji elektrike.
Tashmë prej datës 1 tetor të vitit 2022 në doganën e Durrësit po kryhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën.
Janë mbi 1000 biznese nga Kosova që përfitojnë aktualisht nga hapja e kësaj dege, jo vetëm kohë, por edhe kosto të reduktuar zhdoganimi. Referuar të dhënave nga Dogana, vetëm gjatë këtij viti janë rritur me 50 % mallrat dhe kontejnerët që zhdoganohen në Durrës dhe kanë destinacion tregun kosovar.
Ndërkohë grupet e punës nga të dy vendet po punojnë për kryerjen e një analize për bashkimin doganor, në mënyrë që të hiqen të gjitha barrierat e burokracitë mes dy vendeve dhe që bashkëpunimi tregtar të mos ketë asnjë pengesë./ata