Qeveria dhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste janë angazhuar në të gjithë Shqipërinë, për të ndarë me pensionistët fakte e pikëpamje mbi sfidën e përfshirjes së tyre në hapësirën e rritjes ekonomike të vendit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot foto të takimeve të kryera nga ministrat dhe deputetët në të gjitha bashkitë e vendit.

“Qeveria po vijon diskutimin e hapur me pensionistët, për pensionet në rrugën drejt Shqipërisë 2030, ku qeveria dhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste janë angazhuar në të gjithë Shqipërinë, për të ndarë me pensionistët fakte e pikëpamje mbi sfidën e përfshirjes së tyre në hapësirën e rritjes ekonomike të vendit”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

Qeveria ka nisur një angazhim në një front të përbashkët qeveri-biznes-individë për forcimin e skemës së sigurimeve shoqërore, nga i cili do të siguronte fondet e mjaftueshme për rritjen e pensioneve.

Ajo ka paralajmëruar ngritjen e një taskforce tatime-polici si dhe intensifikim të kontrolleve në terren për rastet e mashtrimit me kontributet shoqërore.

Aktualisht skemës së kontributeve të sigurimeve shoqërore i mungojnë rreth 500 milionë euro nga mosdeklarimi real i pagave./ata