Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, duke folur për rëndësinë e formalizimit të deklarimit të pagave në ekonomi tha se, “pa mbledhjen e mjaftueshme të kontributeve që përbëjnë burimin e të ardhurave për pagesat e shpenzimeve, vështirësohet skema e pensioneve”.

Gjatë një takimi që u zhvillua sot në Tiranë, për informalitetin e pagave me aktorë të linjës, Manjani, tha se, “përmes masave të marra për periudhën 10-vjeçare, 2023-2023 kemi një rritje me 290 mijë kontribues, që ka sjellë rritje të të ardhurave me mbi 2.5 herë në 2023”.

Sipas saj, nga 51.3 miliardë lekë të ardhurat për kontributin e skemës në 2013, ka rritje  në 124 miliardë lekë në 2023 dhe në fund të 2024 parashikohet të shkoj në 132 miliardë lekë.

Manjani bëri të ditur se, këto të dhëna tregojnë për uljen e deficitit të skemës që nuk ka qenë më i ulët se sot, nga 27 miliardë lekë në 2013-ën, në 18 miliardë lekë në 2023-shin. Sipas saj, ka zbritje nga 1.93% në 2013 në 0.85% e PBB në 2023.

Ajo shtoi se, nëse sot nuk kemi më punonjës që nuk deklarohen, kemi punonjës që bizneset paguajnë sigurime shoqërore jo mbi bazën e pagës reale por mbi bazën e një page minimale.

Sipas saj, rezulton se sektorët më produktiv që sjellin të ardhura në ekonomi, rezultojnë poshtë pagës mesatare siç janë ndërtimi, turizmi.

“Rezulton se në këta sektor, paga mesatare është 60 mijë lekë që është realisht poshtë pagës mesatare të deklaruar në ekonomi që është 75 mijë lekë, çka na bën të kuptojmë se ka një problem me deklarimin real të pagës. Problem tjetër që duhet adresuar është edhe mospagimi i kontributeve të deklaruara nga bizneset, që vijojnë të mbeten debitor ndaj tatimeve. Sot ka qytetarë që punojnë por ndërkohë ata nuk janë të siguruar. Shuma debitore përfshirë edhe gjobat arrin në 200 milionë lekë”, tha Manjani.

Këto dy problematika, theksoi Manjani, do të jenë në fokus të punës së qeverisë për t’i luftuar ato si faktor që dëmtojnë skemën e pensioneve./ata