Dhjetë persona kanë humbur jetën dhe 59 u plagosën në një aksident të rëndë trafiku në të cilin u përfshinë shtatë automjete në seksionin Sakarya të autostradës Marmara Veriore në Türkiye.
Shtatë automjete, tre autobusë dhe një kamion u përfshinë në aksidentin zinxhir në seksionin Sakarya të autostradës Marmara Veriore në drejtim të Istanbulit.
Në vendin e aksidentit kanë mbërritur ekipe të shumta mjekësore, zjarrfikëse dhe anëtarë të Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).
Për shkak të aksidentit është ndërprerë qarkullimi në drejtim të Istanbulit. Ekipet në teren filluan largimin e automjeteve nga autostrada në një zonë ku mjegulla ishte e dendur. Trafiku është devijuar në autostradën e Anadollit dhe qarkullimi vazhdon normalisht në autostradën e Marmarasë Veriore në drejtim të Ankarasë.
Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca ka konfirmuar në rrjetet sociale se 10 persona kanë humbur jetën në vendin e aksidentit ndërsa 59 janë lënduar, tetë prej tyre në gjendje të rëndë.
Ministri i Drejtësisë, Yilmaz Tunc tha se ka nisur një hetim për aksidentin e rëndë të trafikut.
Guvernatori i Sakarya-s, Yasar Karadeniz vizitoi vendin e aksidentit dhe u tha gazetarëve se shtatë automjete ishin përfshirë në përplasjen zinxhir. "Vlerësohet se aksidenti ka ndodhur kur një automjet është përplasur me një kamion. Më pas janë përplasur edhe automjetet e tjera", tha Karadeniz./aa