Shefi i ndihmës i Kombeve të Bashkuara (OKB), Martin Griffiths, ka paralajmëruar për një fatkeqësi shëndetësore në zhvillim e sipër në Rripin e Gazës pasi spitalet mezi janë në gjendje të ofrojnë shërbime për shkak të luftës në vazhdim.

"Spitalet mezi po funksionojnë. Sëmundjet infektive janë të përhapura dhe po përhapen me shpejtësi në strehimore të mbipopulluara. Qindra njerëz me lëndime lufte nuk mund të marrin kujdes. Gaza është një katastrofë e shëndetit publik në zhvillim e sipër", tha Griffiths.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se këtë javë me partnerët e saj dërguan karburant dhe furnizime të tjera thelbësore në dy spitale në veri dhe jug të Gazës.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që “të ndërmarrë hapa urgjente për të zbutur rrezikun e rëndë me të cilin përballet popullata e Gazës dhe duke rrezikuar aftësinë e punonjësve humanitar për të ndihmuar njerëzit me lëndime të tmerrshme, uri akute dhe në rrezik të rëndës sëmundjesh".

Vlerësimet e fundit të OBSH-së tregojnë se Gaza aktualisht ka 13 spitale pjesërisht funksionale dhe dy minimalisht funksionale, ndërsa 21 nuk funksionojnë fare.

Izraeli ka nisur një fushatë masive ushtarake në Rripin e Gazës, një enklavë e rrethuar palestineze, që nga sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor, duke vrarë të paktën 21.110 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur 55.243 të tjerë.

Sulmi e ka shndërruar Gazën në gërmadha, me 60 për qind të infrastrukturës së enklavës të dëmtuar ose shkatërruar dhe me gati 2 milionë njerëz të zhvendosur mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve./aa