Sarvar Bashirli nga Azerbajxhani, i cili u bë simbol i solidaritetit me Türkiye-n e goditur nga tërmetet, tha se ishte një nder i madh të takohej me presidentin e Türkiye-s, Recep Tayyip ErdoÄŸan.
Bashirli qëndroi në provincën turke Adıyaman pas tërmeteve të njëpasnjëshme që goditën rajonin në fillim të muajit të kaluar, duke u paraqitur personalisht si vullnetar për të ndihmuar viktimat.
Fotoja e tij duke udhëtuar nëpër rrugët e kryeqytetit të Azerbajxhanit me makinën e tij të vjetër, e cila ishte e rënduar nga pesha e disa batanijeve të trasha dhe furnizimeve të tjera që mblodhi për të ndihmuar të mbijetuarit e tërmeteve, teksa një flamur turk valëvitej mbi veturë, menjëherë u bë virale në Türkiye dhe pjesë të tjera të botës.
"Është shumë e vështirë të shpreh ndjenjat e mia kur takova presidentin turk Recep Tayyip ErdoÄŸan", tha Bashirli për Anadolu, duke shtuar se u takua me presidentin e Türkiye-s teksa ai po inspektonte shtëpitë-kontejnerëve ku po qëndronin përkohësisht të mbijetuarit e tërmeteve vdekjeprurëse.
"Kisha shumë emocione në atë moment. Isha shumë i emocionuar. Mezi flisja. Është një nder dhe krenari e madhe për mua si njeri nga Karabaku që të shkoj në Türkiye dhe t'i shtrëngoj dorën presidentit turk", tha ai.
Që nga tërmetet e fuqishme të muajit të kaluar, në mediat sociale në Türkiye nuk kanë ndalur thirrjet për ndihmë dhe mesazhet e solidaritetit për miliona të prekur në pjesët jugore të vendit.
Megjithatë, është fotografia e veturës së prodhuar në vitin 1981 që ka tërhequr vëmendjen si asnjë tjetër, duke u bërë një simbol i solidaritetit ndërkombëtar të shprehur pas tërmetit shkatërrues, nga e cila mbi 45 mijë njerëz kanë humbur jetën në 11 provinca turke.
Drejtuesi i mjetit ishte Bashirli, një person i zhvendosur nga Karabaku, rajoni i Azerbajxhanit i cili ka qenë nën pushtimin e paligjshëm armen për gati tre dekada.
Fotoja është bërë virale në rrjetet sociale, duke tërhequr miliona pëlqime dhe mesazhe lavdëruese.
Bashirli tha se ai erdhi në Türkiye me mbështetjen e Hüseyin Büyükfırat-it, kreut të Shoqatës së Biznesmenëve dhe Industrialistëve Türkiye-Azerbajxhan (TUIB), duke shprehur mirënjohjen e tij ndaj shoqatës për organizimin e udhëtimit në rajonin e goditur nga tërmeti.
"Unë solla me vete edhe dy kushërinjtë e mi dhe të gjithë së bashku bëmë atë që mundëm. Ne bëmë çmos në Türkiye për të mbështetur njerëzit në një farë mënyre", tha ai, duke shtuar:
"Ne ndihmuam në vendosjen e tendave dhe në shpërndarjen e rrobave, ushqimeve, ngrohësve dhe sobave nëpër fshatra"
Bashirli theksoi se si vullnetarë të dërguar nga TUIB në rajon, ai dhe kushërinjtë e tij shpërndanin ndihmat e ardhura nga Azerbajxhani.
"Çdo ditë, ne u siguronim gjithçka që nevojitej njerëzve nëpër fshatra që jetonin në tenda. Ndihma po vinte me kamionë në pikat e shpërndarjes dhe ne ndihmuam për t'u shpërndarë për viktimat e tërmetit", tha ai.
Më shumë se 13 milionë njerëz në Türkiye janë prekur nga tërmetet e 6 shkurtit./AA