Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani deklaroi sot se, ka angazhim serioz për të gjetur zgjidhje lidhur me ngërçin me Greqinë.

I pyetur në një konferencë për shtyp nëse ka një negociatë mes Tiranës zyrtare dhe Athinës zyrtare për pasuesin apo kujdestarin e ri të Bashkisë Himarë, referuar këtu njoftimit të kryeministrit për të larguar Jorgo Goron si një hap drejt zgjidhjes së ngërçit me Greqinë”, Hasani tha se, shpreson që të gjitha problematikat të anashkalohen në vitin 2024 dhe Shqipëria të hyjë në Vitin e Ri me ide të qarta drejt të qenit një anëtar i ardhshëm i Bashkimit Europian.

“Ka negociata, ka ide, ka angazhim serioz nga të dyja palët për të gjetur një zgjidhje e cila do të japë një dinamikë të re për 2024-ën. Ne po vazhdojmë të gjitha përpjekjet tona që angazhimi i Shqipërisë në raport me rrugën drejt BE të jetë sa më i qartë. Të gjitha detyrimet që kemi marrë përsipër të jenë të realizuara që në momentin e parë, organizimi i Konferencës së Dytë Ndërqeveritare të jetë një pjesë që do t’i lidhet të gjithë këtij kontributi që është dhënë deri më tani. Shpresojmë që në fillim të 2024-ës, Konferenca e Dytë Ndërqeveritare të realizohet dhe të gjitha problematikat të anashkalohen dhe ne të hyjmë në 2024-ën me ide të qarta drejt të qenit një anëtar i ardhshëm i BE. Ne na duhet të thellojmë reformat dhe të marrim përsipër detyrimet që ne vetë i kemi pranuar”, u shpreh ai.

Sa i përket çështjes së detit me Greqinë, Hasani u shpreh se, qeveria shqiptare është duke pritur autorizimin nga Presidenti i Republikës për të vijuar procesin.

Duke iu përgjigjur interesimti të medias se në cilën fazë është kjo çështje, Hasani tha se, “angazhimi është maksimal, por dhe qëndrimet janë të qarta, Greqia është fqinj i rëndësishëm i Shqipërisë, vend anëtar i BE dhe është një fqinj me kontribute dhe merita të veçanta. Për këtë, ne angazhimin e kemi të plotë, maksimal, si në raport me Athinën zyrtare dhe në raport me Brukselin”.

“Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me Presidentin e Republikës. Pres nga ai nëse ka më shumë nevojë për më shumë informacion. Di që ka patur komunikim shkresor disa muaj më parë. I kam shprehur gatishmërinë që ne ta ushqejmë me më shumë informacion apo ide lidhur me vendimin që duhet të marri për të na fuqizuar me dhënien e mandatit për të filluar qartazi një negociatë”, u shpreh ministri i Jashtëm Igli Hasani.

Si Shqipëria ashtu dhe Greqia kanë deklaruar se çështjen e detit mes tyre do ta zgjidhin në Gjykatën e Hagës./ata