Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar këtë të shtunë kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet vendore të 14 Majit në Këlcyrë.

 

Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim nuk munguan akuzat ndaj qeverisë, për të cilën Berisha tha se është shndërruar në një sekt që ka përçmim për qytetarët.

 

Më tej Berisha theksoi se me ndryshimin në 14 maj, Rama i ka ditët e numëruara në qeveri.

 

 “Ky ndryshim është jetik për çdo shqiptar. Këta janë shndërruar në një sekt që kanë përçmim për qytetarët. Ky kryetari juaj këtu, çfarë bëri me ujësjellësin? Unë kam publikuar fotot e tubave të vjetër që i vendoste. Ju i keni dërguar te unë dhe unë i kam publikuar. Prandaj tubat çahen dhe Këlcyra nuk ka ujë. Pse nuk bleu tuba të rinj? Se i ndau me ministrat dhe deputetët lekët.

 

Këta nuk kanë të ndaluar në hajdutërinë e tyre. Ndaj dhe 14 maji është votë në radhë të parë për veten tuaj, është votë për një ndryshim që është jetik. A e konstatoni ju se në disa aspekte jemi më keq së në vitin 1991? Sepse lufta e egër e Edi Ramës ndaj opozitës është më e pashembullta që kur është themeluar PD.

 

E ka kapur tmerri nga opozita dhe urdhëron mercenarët e tij të shkelin ligje dhe Kushtetutë, t’i emërojë koalicionit, kryetarin e koalicionit, të cilin ligji ia njeh në mënyrë eksplicite anëtarëve të koalicionit. Mua më bën nder se tregon tmerrin që ka nga Sali Berisha, por problemi është shikoni se çfarë qëndrimi ka ndaj opozitës. Ai e di se opozita është shtyllë e demokracisë, por pavarësisht nga kjo, do të kontrollojë edhe opozitën. I duhet të vjedhë, të vjedhë sa më shumë. Nuk lejon ngritje komisionesh. Kërkuam ngritje komisioni për çarterin e tij taksi, ky si Sulltani Erdogan, thotë se e kam dhuratë. Por shpenzimet e udhëtimit i heqin qytetarët e Shqipërisë. Dhe ka shpenzuar 22 milionë euro me dhomë gjumi ky se lodhet shumë, njeriu që në dy të tretat e mbledhjeve nuk shkel në qeveri.

 

Pse e do vendin pa opozitë ky? Se blen vazon e drurit 4 milionë euro. E do sepse firmos 420 milionë euro për djegësa. Do të kontrollojë çdo pushtet. Dy javë më parë, një gazetar guximtar shkoi në Dubai dhe intervistoi një italian që ishte brenda grupit të djegësave dhe që po i denoncon. Në mënyrë të rrufeshme, gjykata, që vetëm gjykatë nuk është, jo vetëm i hap çështjen, por i cakton ditën e gjyqit. Ju garantoj se sot, në të gjithë Shqipërinë, nuk ka një qytetar që të ketë gjykim të kërkesave të tij pa kaluar vite e vite. Pse paditet gazetari? Se nxori lidhjet iraniane të Erion Veliajt. Po ato lidhje i kam nxjerrë që kur isha kryeministër. Tani dalin djegësat dhe paratë shkojnë në Teheran me dokumente.

 

Gazetari që bën detyrën ndaj jush, gazetari që merr përsipër të mbrojë interesin, në mënyrë të rrufeshme e detyrojnë të shkojë në bankën e të akuzuarit. Prandaj ky ndryshim është për secilin prej jush. 14 maji ka një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse çdo votë në drejtimin e gabuar. Ndryshimi fillon me datë 14, por me ndryshimin vjen shpresa, me ndryshimin e datës 14, ju garantoj unë ju dhe të gjithë shqiptarët, se Edi Rama do i ketë muajt të numëruar në pushtet”, tha Sali Berisha.