Kuvendi i Shqipërisë, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE në Shqipëri, organizuan takimin përmbyllës të fundvitit për të diskutuar mbi arritjet e Planit Strategjik të Kuvendit 2020-2025.

Të pranishëm në këtë takim ishin Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë, Genci Gjonçaj, Shefi i Departamentit të Demokratizimit në Prezencën e OSBE Tiranë, Blerim Vela, stafi mbështetës, si dhe stafi i lartë drejtues i shërbimeve të Kuvendit të Shqipërisë.

Në fjalën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Gjonçaj, vlerësoi punën e bërë nga Kuvendi i Shqipërisë gjatë vitit 2023, sfidat me të cilat u përball Kuvendi gjatë këtij viti, si dhe falenderoi Prezencën e OSBE në Shqipëri për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.

Njëkohësisht Genci Gjonçaj nënvizoi hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren në vijim të Planit Strategjik për vitin 2024.

Ndërsa Shefi i Departamentit të Demokratizimit në Prezencën e OSBE në Shqipëri, Blerim Vela, duke i uruar stafit të Kuvendit një vit të ri të mbarë, shprehu mbështetjen dhe vijimin e bashkëpunimit për zbatimin e Planit Strategjik.

Gjatë takimit, stafi drejtues i shërbimeve të Kuvendit të Shqipërisë, u fokusua në hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren për zbatimin e Planit Strategjik në vitin 2024./ata