Mbrëmja Gala në “Skampa”, e cila mbylli edhe vitin kalendarik të aktiviteteve në Elbasan, ka kulmuar me një koncert të madh festiv, nën kujdesin e veçantë të kryetarit të bashkisë, Gledian Llatja.
Këtë vit “Grand Gala”, ka ngjitur në skenë 150 artistë vetëm nga Elbasani, nën dirigjimin e maestro Antonio Pine dhe interpretimin e Orkestrës së Harqeve Elbasan, Qendra Kulturore e Fëmijëve, Banda Frymore Afërdita.
Gjithashtu janë nderuar me titullin “ Nderi i qytetit” emblemat e teatrit “ Skampa” ndër vite, si Hasan Hoxha, Thoma Kristo dhe Tomorr Shishmani.
Në përshëndetjen e tij kryetari i bashkisë, Gledian Llatja pohoi se edhe ky vit që po lemë pas ka qenë i ngjeshur plot me aktivitete nga fusha teatrit, muzikës, teatrit të kukullave, kërcimit etj.
“Këtë herë ndryshe nga herët e tjera nata Gala është fokusuar vetëm në Elbasan, me trupat tona të qytetit nga Qendra Kulturore e Fëmijëve, Orkestra e harqeve dhe Banda Frymore.
Në këtë skenë gjatë këtij viti janë ngjitur artistë të mirënjohur lokalë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Kemi pasur aktivitete dinjitoze që vazhdojnë t’a mbajnë lart profesionalizmin e Teatrit “Skampa”.
Edhe vitin e ardhshëm do vazhdojmë me të njëjtat ritme dhe do të kemi në vëmendje shtimin e larmishmërisë artistike të Teatrit “Skampa”.
Llatja ka nderuar me titullin “Nderi i qytetit” 3 artistë, që i kanë dhënë shumë këtij teatri, jetës artistike dhe qytetit.
U nderua me këtë titull Hasan Hoxha, (pas vdekjes) titulli “Nderi i Qytetit” me motivacionin “Për kontributin e tij të çmuar si intelektual, studiues shkencor e si regjizor i Teatrit të Kukullave në edukimin e argetimin e fëmijëve në breza”.
Thoma Kristo (i jepet pas vdekjes) titulli “Nderi i Qytetit” me motivacionin “Për kontributin e shquar si aktor e regjizor në lëvizjen artistike profesioniste e amatore në Elbasan e më gjërë”.
Tomorr Shishmani, i jepet titulli “Nderi i Qytetit” me motivacionin “Për kontributin e dhënë si aktor e regjisor me nivel të lartë artistik në Teatrin Profesionist “Skampa” dhe në lëvizjen artistike amatore”./ata