Shteti federal Maine përjashtoi ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump të enjten nga pjesëmarrja në zgjedhjet paraprake republikane 2024, duke u bërë shteti i dytë që e bën këtë sipas një amendamenti të Kushtetutës së SHBA-së që ndalon kryengritësit të mbajnë poste publike.
Vendimi i Sekretares së Shtetit Maine, Shenna Bellows erdhi si përgjigje ndaj tre sfidave ndaj nominimit të Trumpit, përfshirë dy që u depozituan sipas "klauzolës së kryengritjes" të amendamentit të 14-të.
Amendamenti u ratifikua në vazhdën e Luftës Civile në SHBA. Seksioni 3 ndalon individët që "angazhohen në kryengritje ose rebelim" nga mbajtja e posteve publike nëse dy të tretat e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit nuk japin miratimin e tyre.
Bellows tha se ka përjashtuar Trumpin sepse kishte vlerësuar si të pavlefshme peticionin e tij të votimit sipas klauzolës.
"Të dhënat vërtetojnë se Trump, gjatë disa muajve dhe duke kulmuar më 6 janar 2021, përdori një narrativ të rremë të mashtrimit zgjedhor për të ndezur mbështetësit e tij dhe për t'i drejtuar ata në Capitol për të parandaluar certifikimin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe transferimin paqësor të pushtetit", shkroi ajo në vendimin e saj.
"Nuk ishte lehtë të vije deri te ky përfundim. Demokracia është e shenjtë. Jam e vetëdijshme se asnjë Sekretar i Shtetit nuk ka privuar ndonjëherë një kandidat presidencial nga gara në votim bazuar në Seksionin 3 të amendamentit të 14-të. Unë jam e ndërgjegjshme, se asnjë kandidat presidencial nuk ka qenë ndonjëherë më parë i angazhuar në kryengritje", shtoi Bellows.
Gjykata e Lartë e Kolorados vendosi në mënyrë të ngjashme javën e kaluar për të përjashtuar Trumpin nga mbajtja e detyrës së presidentit për shkak të "klauzolës së kryengritjes", e cila u apelua nga avokatët e tij në Gjykatën e Lartë të SHBA-së.
Fushata e Trumpit tha se do të paraqiste apel në gjykatën shtetërore dhe Bellows tha se vendimi i saj do të jetë i vlefshëm derisa Gjykata e Lartë të vendosë për apelin. Pritet që vendimet të apelohen në Gjykatën e Lartë nga secila palë.
Fushata e dënoi vendimin e sekretares Bellows si përpjekje për "ndërhyrje partiake në zgjedhje".
"Ne jemi dëshmitarë, në kohë reale, tentativa për vjedhje të zgjedhjeve dhe heqjen e të drejtës së votës amerikane. Demokratët në shtetet blu po pezullojnë në mënyrë të pamatur dhe jokushtetuese të drejtat civile të votuesve amerikanë duke u përpjekur të heqin emrin e presidentit Trump nga fleta e votimit", thuhet në një deklaratë të fushatës./aa