Zjarret janë rikthyer sërish në Greqi, ku këtë të hënë raportohet se është gjetur i pajetë një bari në një zonë pyjore në Vioti, në afërsi të Athinës.

 

Sipas Policisë, bëhet fjalë për një bari të moshuar (rreth 80 vjeç) i cili pasi ka marrë mesazhin e 112 ka vrapuar drejt vathës së deleve për të shpëtuar kafshët, por ka humbur vetë jetën nga flakët e zjarrit.

 

Siç u bë e ditur nga Zjarrfikësja, një grua ka telefonuar në qendrën operative dhe ka raportuar se menjëherë pas rënies së zjarrit, bariu është nisur për në vathën e tij.

 

Zjarrfikësit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje ku kanë gjetur të vdekur bariun e moshuar. Dyshohet se i moshuari ka humbur jetën nga asfiksimi, por shkaku i vdekjes do të përcaktohet nga autopsia.

 

Kujtohet se janë mobilizuar 52 zjarrfikës me tre grupe repartesh këmbësore dhe 16 automjete, ndërsa po operojnë tre avionë dhe një helikopter në zonat më të prekura.