Ushtria izraelite njoftoi se ka zgjeruar shtrirjen e pushtimit të saj në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.
Lidhur me çështjen nga ushtria izraelite u bë një deklaratë me shkrim ku thuhet se ushtria ka zgjeruar shtrirjen e pushtimit të saj në qytetin Khan Younis në jug të Gazës.
"Forcat izraelite mbrëmë 'filluan sulm për të shkatërruar infrastrukturën e armikut' në qytetin Khan Younis", thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se kundër grupeve të armatosura palestineze, po përdoren avionët luftarakë, mjetet ajrore pa pilot dhe tanket.
Edhe radioja e ushtrisë izraelite njoftoi se pas bashkimit të Brigadës së Parashutistëve në Khan Younis "po veprojnë 7 brigada".
- Vritet një oficer izraelit
Ushtria izraelite njoftoi se në veri të Rripit të Gazës është vrarë një oficer.
Në një deklaratë nga ushtria thuhet se në konfliktin në veri të Rripit të Gazës u vra 33-vjeçari kapiteni Harel Sharvit dhe se në përleshje të ndryshme në veri u plagosën rëndë një oficer dhe një ushtar.
Sipas të dhënave të fundit të ushtrisë izraelite, numri i ushtarëve të vrarë izraelitë që nga 7 tetori, kur filluan sulmet në Rripin e Gazës, është rritur në 502, prej të cilëve 168 gjatë procesit të pushtimit tokësor.
- Izraeli lëshoi fletushka dhe shpalli "zonë lufte të rrezikshme" disa rajone të Khan Younis
Disa ditë më parë forcat izraelite lëshuan nga ajri fletushka në Khan Younis ku kërkuan evakuimin urgjent të zonës "Blok 112" ngjitur me Kompleksin Mjekësor Nasser që është spitali i dytë më i madh i Rripit të Gazës dhe për zonën "Blok 64" që ndodhet në lagjen Qizan Abu Rashwan në qendër të qytetit.
Në fletushka theksohej se forcat izraelite i kanë shpallur "zonë lufte të rrezikshme" rajonet në fjalë në Khan Younis dhe palestinezëve u kërkohej që të shkojnë në lagjet Tel es-Sultan, Ez-Zuhur dhe Esh-Shabura në qytetin Rafah./aa