Qeveria shqiptare ka vendosur që bonusi i bebeve të shkojë tek familjet që jetojnë në Shqipëri.
Sipas ndryshimeve në ligjin “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, bonusi i bebes do të përfitohet nga prindi/prindërit e foshnjës së porsalindur, shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, të paktën 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditë kalendarike të vitit paraardhës, sipas të dhënave të sistemit TIMS dhe të regjistruar sipas afateve ligjore të përcaktuara në ligjin për gjendjen civile.
“Prindi/prindërit me shtetësi tjetër, të cilët janë rezidentë të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë, të cilëve nga shteti shqiptar u është dhënë statusi i refugjatit, i mbrojtjes plotësuese ose i azilkërkuesit dhe vendosin t’i japin foshnjës shtetësi shqiptare, sipas ligjit për shtetësinë shqiptare, dhe e regjistrojnë si shtetas shqiptar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile”, thuhet në vendim.
Për përfitimin e ndihmës së menjëhershme financiare për foshnjat e porsalindura, në çdo rast, prindi/prindërit, krahas dokumentacionit të përcaktuar në këtë vendim, paraqesin edhe formularin e vetëdeklarimit, që jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas aneksit nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Qëllimi i politikës së shpërndarjes së bonusit të bebes është që të mbështesë familjet të cilat jetojnë dhe kontribuojnë në Republikën e Shqipërisë, duke i dhënë atyre një shpërblim financiar për të përballuar shpenzimet e lidhura me sjelljen në jetë të fëmijëve, por dhe si një shtytës për lindshmëri më të madhe. Megjithatë, treguesi janë të tillë që tregojnë se kjo pothuajse nuk ka dhënë asnjë efekt. Pra, lindshmëria ka shkuar në ulje e jo ngritje. /tesheshi.com/