Ndërmjetësuesit e Katarit i thanë Izraelit se Hamasi ishte "pajtuar në parim" për të rifilluar bisedimet për lirimin e rreth 40 pengjeve të mbajtura në Gaza në këmbim të një ose dy javësh pauzë në luftime. 

Këtë e pretendon gazeta izraelite Walla, duke cituar tre zyrtarë izraelitë, të cituar nga Guardian. Marrëveshja do të përfshinte lirimin e rreth 40 pengjeve ende të mbajtura nga Hamasi në këmbim të disa javësh armëpushim. 

Por, Osama Hamdan, një anëtar i Hamas, ka hedhur poshtë gojëdhënat se grupi palestinez është i gatshëm për një marrëveshje që ka të bëjë me lirimin e pengjeve, në këmbim të një armëpushimi të përkohshëm.

Hamdan ka deklaruar për median “Al Jazeera”, që Hamas u ka bërë të qartë shteteve ndërmjetësuese se e vetmja mënyrë për lirimin e pengjeve është përfundimi i luftës tërësisht.

Ndërkohë, për të dytën herë këtë muaj, administrata e Presidentit Biden anashkalon Kongresin duke miratuar shitje emergjence armësh për Izraelin, ndërsa Izraeli vazhdon me luftën kundër Hamasit në Gazë mes kritikave të shtuara ndërkombëtare.

Departamenti i Shtetit tha të premten se Sekretari i Shtetit Antony Blinken ka njoftuar Kongresin se ka marrë një vendim të dytë emergjence për 147.5 milionë dollarë shitje paisjesh ushtarake që nevojiten për të futur në funksionim predhat 155 mm që Izraeli pati blerë më herët.

Ndërsa në një deklaratë të dhënë së fundmi nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ky i fundit ka deklaruar se lufta do të vijojë edhe për muaj të tjerë me rradhë. Ndërsa tha se deri tani janë ekzekutuar 8 mijë persona të cilët ai i konsideron "terroristë" dhe pjesë të grupit të Hamasit. Ndërsa autoritetet palestineze shprehen se deri tani mbi 21.672 persona janë vrarë nga sulmet e Izraelit.