Është arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe Amar (Dritan) Shkëmbi, cili i është përfshirë në atentatin që iu bë prokurorit Arjan Ndoji në vitin 2019 në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit.

 

Në këtë atentat, mbetën të plagosur dhe dy persona të tjerë, njëri prej tyre shoferi i prokurorit, i cili humbi jetën në spital.

 

Policia e Shtetit informon se “Në vijim të punës për sigurimin e informacioneve përmes inteligjencës informative, me qëllim lokalizimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe shkëmbimit të informacioneve me partnerët, për kapjen dhe arrestimin e këtyre personave, me qëllim ekstradimin, Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dhabi/Emiratet e Bashkuara Arabe, në koordinim nga Qendra e Interpolit në Lyon, Francë, kanë shkëmbyer informacione për Amar (Dritan) Shkëmbin, shumë të kërkuar nga SPAK-u, i cili ndodhej në Emiratet e Bashkuara Arabe.”

 

GJKKO i ka caktuar 39-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, “Vrasja në rrethana cilesuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake dhe i municionit, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar krininal”.