Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu në intervistën e parë dhënë për mediat, foli në Report Tv për ‘bilancin e vitit që po lëmë pas, bonusin e fundvitit për familjet në nevojë, si edhe synimet për vitin 2024.
Ekskluzivisht për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, ministrja Koçiu tha se 36 mijë familje me fëmijë, që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, do të përfitojnë 10 mijë lekë bonus. Po ashtu, përfitues do të jenë edhe 58 mijë persona me aftësi të kufizuar, si 28 mijë familje trajtohen me ndihën ekonomike edhe përse nuk kanë fëmijë.
“Paketa e solidaritetit është një nga vendimet e fundit, që vjen në ndihmë të familjeve në nevojë dhe personave vulnerabël. Mbështetje për të gëzuar dhe festuar festat e fundvitit, familjet në ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar. E orientuar tek fëmijët, 36 mijë familje më fëmijë pjesë e skemës që do përfitojnë një bonus me rastin e festave me vlerën 10 mijë lekë.
Fëmijët me aftësi të kufizuar do ketë një vlerë 10 mijë lekë si bonus. Pjesë e kësaj skeme janë edhe familjet në ndihmë ekonomike që s’kanë fëmijë, 28 mijë, afro 58 mijë persona që përfitojnë nga skemat e aftësisë së kufizuar”, tha ministrja për Report Tv.
Ndalur në bonusin e bebes, ministrja tha se nga vitit 2019 janë shpërndarë 200 mijë bonuese, ndërsa 40 mijë vetëm për vitin 2023.
“Aplikohet që në 2019. Fëmija i parë 40 mijë lekë, fëmijën e 80 mijë lekë dhe fëmija i tretë e në vijim 1200 mijë lekë bonuse të shpërndara, për 2023 kemi 40 mijë bonuese”, tha ministrja.
Sa i takon synimeve për vitin 2024, ministrja thotë se do të vijojë puna për rikonstruktimin e 60 qendrave shëndetësore e spitaleve. Në fokus do të jetë edhe autonomia spitalore, si edhe përmirësimi i sistemeve dixhitale.
“Kantieret do vijojnë të shtrihen në gjithë vendin, do kemi ndërhyrje sa i përket QSUT, do mbështesim përmirësimet në infrastrukturë, 60 qendra shëndetësore që do vijojnë t’i nënshtrohen rehabilitimit të infrastrukturës, do vijojë rehabilitimi në infrastrukturë, spitali Krujës, Lezhës, Elbasanit, spitalin psikiatrik të Vlorës, Elbasanit.
Do përmirësojmë sistemet dixhitale, mënyrën sesi menaxhojmë të dhënat në sistemin shëndetësor, për të lehtësuar punën dhe cilësinë e shërbimit për qytetarë”, tha Koçiu.
Koçiu u ndal edhe tek masat e marra në natën e ndërrimit të viteve, ku tha se janë marrë të gjithë masat e nevojëshme për të siguruar shërbim shëndetësorë për qytetarët. Në të gjithë vendin sipas ministres janë mbi 2 mijë punonjës të sistemit shëndetësor, mjekë dhe infermierë, të cilët do të jenë në gadishmëri.