Me një dekret të Posaçëm, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i dha kryeministrit Edi Rama “Urdhrin e Princit Jaroslav i Urti, shkalla e parë”.

“Jam krenar për këtë ngjarje. Urimet e mia të sinqerta dhe mirënjohje pa kufi për mbështetjen e popullit tim në sprovat e vështira të luftës”, shkruhet në njoftimin e presidencës ukrainase, ndërsa motivacioni për nderimin e kryeministrit Edi Rama është: “Për një kontribut të rëndësishëm personal në forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, mbështetjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Ukrainës, popullarizimin e shtetit ukrainas në botë”.

Menjëherë pas luftës, kryeministri Edi Rama ka shprehur mbështetje të pakursyer ndaj popullit ukrainas, duke ofruar 1 milion euro në konferencën e donatorëve. Më 15 qershor të vitit të kaluar, Rama vizitoi Kievin, ku u takua me homologun e tij, presidentin Zelensky e liderë të tjerë, duke ia shprehur edhe mbështetjen për rrugën drejt BE-së.

Nga ana tjetër, mirënjohjen për Shqipërinë dhe personalisht për kryeministrin Rama, Zelensky e përcolli nëpërmjet një videomesazhi në kuvendin e Shqipërisë më 3 maj 2022.

Së fundmi, presidenti ukrainas vendos t’i japë kreut të qeverisë titullin e lartë, me të cilin është vlerësuar edhe princi i kurorës i mberetërisë së Arabisë Saudite Muhammad bin Salman dhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.

DEKRETI I PRESIDENTIT TË UKRAINËS Nr. 860/2023

Rreth dhënies së çmimeve shtetërore të Ukrainës

Për një kontribut të rëndësishëm personal në forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, mbështetjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Ukrainës, popullarizimin e shtetit ukrainas në botë, unë dekretoj:

Të jepet Urdhri i Princit Jaroslav i Urti, shkalla e parë

RAMA Edi - Kryeministër i Republikës së Shqipërisë