Muzeu i Fotografisë "Marubi" në bashkëpunim me Agjencinë Telegrafike Shqiptare çelën ekspozitën "Gjyqet", hulumtim i kuratorëve Zef Paci, Luçjan Bedeni dhe Lek Gjeloshi.  Janë imazhe fotografike të shkrepura në periudhën politike (1945-1961), kohë kur diktatura komuniste shfaqte qëndrimin e saj agresiv e kërcënues kundrejt personave që kishin një qëndrim ndryshe, duke mbjellë frike e pasigurie.

 

“Kjo ekspozitë nuk duhet të shihet vetem si memorie, por dhe në aspektin kinematografik. Po ta shohim me vëmendje, në secalin prej mureve vendoset emri i kinemasë. Pra këto gjyqe janë bërë në disa salla kinemaje, si në kinema “Tomori”, “Kosova”, etj”, tha Luçjan Bedeni Drejtor i muzeut  "Marubi".

 

Musine Kokalari, Lef Nosi apo At Anton Harapi, janë vetëm disa nga emrat mes 150 profileve të cilët shfaqen për herë të parë në një ekspozitë sa të rrallë aq edhe të ndjeshme dhe ku secili prej tyre mbart një histori.

“Në këto gjyqe, këta njerëz luanin jetën dhe vdekjen e tyre! Ajo ç’ka na bën përshtypje është se këta njerëz nuk e shikojnë fotografin. Ata përpiqen të mbrohen, pa e ditur se po fotografohen dhe kjo dallohet prej gjestikulacionit. Janë foto të bëra të gjitha nga i njëjti kënd fotografik. Ne nuk arritëm të gjejmë se kush është autori i këtyre albumeve. Pra është një krijese anonime”, u shpreh kuratori Zef Paci.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Muzeun "Marubi" të Shkodrës deri më 24 Mars të 2024-ës.