Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se brezi kufitar midis Egjiptit dhe Rripit të Gazës, duhet të jetë nën kontrollin e Izraelit.

Netanyahu foli në një konferencë për media ku ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Galant dhe anëtari i Kabinetit të Luftës Benny Gantz nuk pranuan të merrnin pjesë.

Duke folur për sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, Netanyahu tha: "Lufta do të vazhdojë edhe për disa muaj derisa të arrihen qëllimet e saj. Duhet pak më shumë kohë për të arritur fitoren. Ne duam të sigurohemi që Gaza të mos përfaqësojë çfarë do lloj kërcënimi”.

Netanyahu deklaroi se "Korridori Filadelfi", aksi midis Egjiptit dhe Rripit të Gazës, duhet të jetë në duart e Izraelit dhe nën kontrollin e Izraelit dhe se Izraeli nuk do të pranojë asnjë rregullore përveç kësaj.

"Ne kemi paguar çmim të lartë në Gaza, por lufta është në kulmin e saj. Ne po luftojmë në të gjitha frontet dhe vazhdojmë të luftojmë", tha Netanyahu, duke shtuar se ushtria izraelite do të vazhdojë sulmet ajrore në të gjitha zonat në veri, jug dhe pjesët qendrore të Rripit të Gazës.

Duke pretenduar se "ushtria izraelite ka vrarë 8.000 njerëz të armatosur të Hamasit", Netanyahu tha se qeveria izraelite sheh mundësinë e përparimit në një shkëmbim të burgosurish me Hamasin. Duke iu referuar Iranit dhe Hezbollahut në Liban, Netanyahu kërcënoi se "nëse zgjerojnë boshtin e luftës, do të marrin goditje që askush nuk mund t'i imagjinonte".

"Ne po punojmë kundër Iranit kudo dhe kurdo që të jetë e mundur. Ne duhet ta parandalojmë Iranin që të ketë armë bërthamore", tha Netanyahu./aa