Kabineti i luftës në Izrael thuhet se ka dhënë "dritë të gjelbër" për zbatimin e "propozimit të Katarit lidhur me shkëmbimin e pengjeve në Gaza".
Në lajmin e televizionit shtetëror izraelit KAN thuhet se propozimi i Katarit ndaj Tel Avivit përfshin lirimin e dhjetëra pengjeve izraelite në Gaza në këmbim të pauzës për disa javë të konfliktit në Gaza.
Theksohet se Kabineti i luftës i ka dhënë "dritë të gjelbër" kreut të Mossad-it, David Barnea për zbatimin e propozimit të Katarit. Ndër të tjera bëhet e ditur se është shënuar përparim në bisedimet e zhvilluara me Katarin për shkëmbimin e pengjeve.
Mediat izraelite pretendojnë se Katari i ka paraqitur qeverisë së Tel Avivit një propozim me 2 faza lidhur me shkëmbimin e pengjeve në Gaza.
Në lajmin e transmetuar dje nga televizioni "Channel 12" thuhej se faza e parë e propozimit të paraqitur nga Katari parashikon lirimin e 40 deri në 50 pengjeve që mbahen nga Hamasi në këmbim të një pauze prej një muajsh të konfliktit në Gaza.
Ndërsa faza e dytë, detajet e së cilës ende nuk janë qartësuar dhe që pritet të jetë më komplekse, mendohet se do të përfshijë tërheqjen e ushtrisë izraelite nga Gaza.
Ndërkohë gazeta "Yediot Ahronot" në artikullin e saj të bazuar në një zyrtar të paidentifikuar, ka konfirmuar informacionet që televizioni "Channel 12" ka dhënë lidhur me propozimin e Katarit.
Katari nuk ka dhënë ende deklaratë lidhur me pretendimet në mediat izraelite./aa