Agjencia Turke e Inteligjencës (MIT) ka kapur sot përgjegjësin e DAESH-it në qytetin Halep të Sirisë, Abdullah al-Jundi, i cili po planifikonte sulme kundër forcave turke në zonat e operacioneve "Mburoja e Eufratit" dhe "Dega e Ullirit".

Sipas informacioneve të marra nga forcat e sigurisë, al-Jundi, me emrin e koduar Hattab el-Muhacir, ishte përgjegjës për planifikimin e veprimeve kundër automjeteve që u përkisnin forcave turke të sigurisë në Siri.

Terroristi u kap gjatë një operacioni të kryer nga MIT-i dhe forcat lokale të sigurisë të lidhura me Ushtrinë Kombëtare Siriane në zonën e operacionit "Mburoja e Eufratit".

Terroristi dha informacione edhe për anëtarët e tjerë të organizatës që kryenin aktivitete terroriste.

Gjatë operacionit u konfiskuan disa materiale digjitale që i përkisnin organizatës, duke zbuluar planet e veprimit të DEASH-it dhe duke ndërprerë aktivitetet e organizatës.

Në vitin 2013, Türkiye u bë një nga vendet e para që e shpalli DAESH-in organizatë terroriste.

Vendi që atëherë është sulmuar nga grupi terrorist disa herë, me mbi 300 njerëz të vrarë dhe qindra të tjerë të plagosur në të paktën dhjetë sulme vetëvrasëse, shtatë sulme me bomba dhe katër sulme të armatosura. Si kundërpërgjigje, Türkiye nisi disa operacione antiterroriste brenda dhe jashtë vendit për të parandaluar sulme të mëtejshme./aa