Gjermania dhe Polonia do të qëndrojnë pranë Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme, tha ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e saj polak Radoslaw Sikorski në Berlin.

“Gjermania dhe Polonia janë absolutisht të bashkuar në pozicionin që qëndrojnë fort në anën e ukrainasve në luftën e tyre për liri. Mbështetja vazhdon dhe do të ofrohet për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha ministrja gjermane.

Sipas saj, në qershor në Berlin do të mbahet një konferencë për rindërtimin e Ukrainës.

Baerbock deklaroi se ky vit do të kërkojë unitet dhe vendosmëri të veçantë, më i madhi që nga 24 shkurti 2022, kur Evropa dhe bota u gjendën në një realitet të ri pasigurie, në një botë tjetër.

Ajo theksoi se siguria e Polonisë dhe shteteve baltike, të cilat ndiejnë një kërcënim të drejtpërdrejtë nga presidenti rus Vladimir Putin, është edhe siguria e Gjermanisë.

“Ne do ta mbrojmë këtë siguri si aleatë në NATO”, tha gruaja e diplomacisë gjermane.

Ajo theksoi gjithashtu nevojën e forcimit të bashkëpunimit në trekëndëshin e Vajmarit – Gjermani-Poloni-Francë dhe bëri thirrje për ndërtimin e përbashkët të një të ardhmeje miqësore në qendër të Evropës.

Duke komentuar kundërshtimin e kryeministrit hungarez Viktor Orbán ndaj dhënies së ndihmës financiare për Ukrainën, Baerbock tha se Gjermania, së bashku me vendet e tjera të Bashkimit Evropian, “po punon në mënyrë aktive për këtë”, sepse nuk ka të bëjë vetëm me sigurinë dhe lirinë e Ukrainës, por edhe me sigurinë dhe paqen në Evropë.

“Kjo nuk është vetëm çështje solidariteti me Ukrainën. Është sigurimi i jetës sonë europiane”, theksoi ajo.

Ministri i Jashtëm polak Radoslaw Sikorski tha se vendet perëndimore duhet të ruajnë solidaritetin për të ndihmuar Ukrainën të fitojë luftën kundër Rusisë. /tesheshi.com/