Izraeli është në mes të Luftës së Tretë Botërore, deklaroi të martën ministri i ri i Jashtëm Israel Katz.

Katz si armik e identifikoi "Islamin radikal të udhëhequr nga Irani, tentakulat e të cilit tashmë janë në Evropë".

Ai akuzoi Iranin për zhvillimin aktiv të armëve bërthamore, raporton portali "Israel 24".

"Ne po kalojmë në një kohë sfiduese, të mbushur me shpresë për të mobilizuar të gjithë vendin", tha Katz ndërsa mori detyrën nga paraardhësi i tij, Eli Cohen.

Ai shtoi se prioriteti i tij kryesor është kthimi i të burgosurve izraelitë në shtëpi, por nuk adresoi se si ky qëllim mund të binte ndesh me qëllimin e Izraelit për të eliminuar Hamasin.

Katz pretendon se "gara e Iranit për t'u bërë me armë bërthamore po fiton vrullin më të fortë në kohët e fundit".

"Fronti që Irani ka ndërtuar në rajon nuk është vetëm kundër Izraelit dhe interesave të tij. Kjo është një luftë e tretë botërore me mjetet e sotme", tha Katz.

Qeveria izraelite miratoi të dielën emërimin e ish-ministrit të Energjisë, Israel Katz si ministër i Jashtëm.

Katz zëvendësoi Eli Cohen-in, i cili u bë ministër i Energjisë sipas një marrëveshjeje me rotacion brenda partisë Likud të kryeministrit Benjamin Netanyahu, raporton gazeta "Haaretz".

Katz edhe më parë ka shërbyer si ministër i Jashtëm në periudhën 2019-2020./aa