Dhjetëra anëtarë të dyshuar të grupit terrorist DEASH u arrestuan në Türkiye, të akuzuar për komplot të sulmeve ndaj kishave dhe sinagogave në vend, njoftuan të mërkurën burime gjyqësore dhe të sigurisë.
Në operacionet e kryera në 9 provinca me qendër në metropolin e Istanbulit, 32 të dyshuar u kapën dhe 25 u arrestuan, thanë burimet, të cilët kërkuan të mbeten anonim për shkak të kufizimeve për të folur për media.
Operacionet ishin një përpjekje bashkëpunimi midis Agjencisë së Inteligjencës Turke (MIT) dhe departamenteve të policisë së Istanbulit kundër terrorizmit dhe inteligjencës. Dy prej të dyshuarve do të dëbohen, njërit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak ndërsa 4 janë liruar me masa kontrolli gjyqësor.
Ekipet e policisë thuhet se zbuluan se të dyshuarit, të lidhur me të ashtuquajturin Regjimenti Salman al-Faris i DEASH-it në Türkiye, fotografuan dhe vëzhguan terrenin për sulme të mundshme në vendet e adhurimit hebre dhe të krishterë në Istanbul.
Türkiye është vend me shumicë muslimane, por ka edhe komunitete të besimeve të tjera, përfshirë të krishterët dhe hebrenjtë, veçanërisht në qendrat urbane si Istanbuli.
Të premten e kaluar, në një operacion të ngjashëm të përbashkët të MIT-it dhe policisë në 9 provinca, me qendër në Istanbul, u kapën 32 të dyshuar, përfshirë 3 udhëheqës të dyshuar të DEASH-it, për planifikimin e sulmeve në sinagoga dhe kisha.
Në vitin 2013, Türkiye u bë një nga vendet e para që e shpalli DEASH-in organizatë terroriste.
Vendi që atëherë është sulmuar nga grupi terrorist disa herë, me mbi 300 njerëz të vrarë dhe qindra të tjerë të plagosur në të paktën 10 sulme vetëvrasëse, shtatë sulme me bomba dhe katër sulme të armatosura. Si kundërpërgjigje, Türkiye nisi operacione anti-terror brenda dhe jashtë vendit për të parandaluar sulme të mëtejshme./aa