Në Shqipëri kultivohen mbi 330 lloje bimësh mjekësore dhe aromatike, që janë një vlerë e shtuar në eksportet bujqësore shqiptare.
Sipas ekspertëve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, eksportet janë të përqendruara në vendet e BE-së dhe kryesisht në SHBA, ku peshën më të madhe e zë tregtia e bimës së Sherbelës.
Sherbela shqiptare, zë 66% të importeve amerikane, e cila së fundi po eksportohet edhe si produkt përfundimtar (e përpunuar) për industrinë ushqimore në SHBA. Ndërsa 33% e totalit të eksporteve shkon në Gjermani, Francë, Itali dhe vende të tjera deri në Australi. Përveç sherebelës, eksportohet edhe rigon, trumza, dëllinja e zezë dhe esencat e disa lloje bimësh të tjera.
Eksporti vjetor i sherbelës drejt SHBA, arrin nga 3800 tonë deri në 4900 tonë, rreth 12 milionë dollarë.
Ky sektor punëson mbi 90,000 punonjës, 10 % e të cilëve janë gjithashtu të angazhuar në kultivimin e bimëve në një sipërfaqe prej mbi 6000 hektarë. Sipërmarrjet e këtij sektori po rrisin investimet edhe për përpunimin e bimëve mjekësore, duke shtuar vlerën e eksporteve./ata