Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave organizuan sot në Tiranë, konferencën vjetore me temë: “Roli i bankës qendrore dhe sistemit bankar në rrugën drejt BE-së”.

I pranishëm në këtë konferencë ministri i Financave, Petrit Malaj tha se, “Shqipëria, tashmë ka hyrë në një rrugë pa kthim, atë të çeljes së negociatave dhe diskutimit të kapitujve “Themelorë””.

Sipas tij, progres raporti i fundit i Komisionit Europian, e vuri theksin te përparimet që ka bërë vendi ynë, që lidhen me zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale, por edhe në stabilitetin e treguesve makroekonomikë.

Malaj theksoi se, “performanca e ekonomisë është përmirësuar dukshëm në rritjen ekonomike; rritjen e të ardhurave, Investimeve të Huaja Direkte, ndërsa ka vijuar me reduktimin e ndjeshëm të borxhit publik dhe të normës së papunësisë, që llogaritet në nivelin e saj më të ulët”.

Në lidhje me politikat fiskale, ministri bëri të ditur se, brenda këtij viti ne parashikojmë miratimin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave 2024 – 2027, që synon rishikimin e politikave të caktuara fiskale, në përputhje me direktivat e BE-së dhe përafrimin e legjislacionit.

Ai tha se, “rruga drejt integrimit europian, kërkon që, si politika fiskale, ashtu edhe ajo monetare të jenë të harmonizuara, për të siguruar që trendet e zhvillimit të vendit të jenë pozitive dhe bazuar në zhvillimet financiare”.

Malaj, përgëzoj punën e bërë nga Banka e Shqipërisë e cila ka arritur të ushtrojë me eficiencë dhe përgjegjshmëri rolin e saj mbikëqyrës dhe rregullator.

“Vetë sistemi bankar, si aktor primar, si dhe Shoqata Shqiptare e Bankave, si një mekanizëm efektiv kordinues dhe promovues, po kontribuojnë për një zhvillim të qëndrueshëm, si dhe për promovimin e standardeve më të mira në fushën e bankingut”, tha ai.

Malaj theksoi se, “transformimi digjital, është një nga fushat, ku së bashku duhet të synojmë nxitjen e përdorimit të pagesave elektronike, që së bashku me përmirësimin e shërbimeve, do të rriste akoma më shumë aksesin në financë të konsumatorëve shqiptarë. Nga ana tjetër, ndihmon në reduktimin e parasë “cash”, dhe do të na shërbente për formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë së vendit”.

Për të përmbushur këtë objektiv, tha ai, Ministria e Financave, ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në bashkëveprim me Bankën e Shqipërisë, institucionet e kontrollit fiskal, por edhe me partnerët ndërkombëtarë.

“Jemi të fokusuar në zhvillimin e kapaciteteve të përbashkëta për të forcuar monitorimin dhe raportimin e politikave financiare, në mënyrë që të sigurojmë qasje dhe standarde të njëjta, në përmbushjen e kritereve të kërkuara nga Bashkimi Europian”, u shpreh ministri Malaj.

Qëllimi i kësaj konference është analizimi i rolit kyç të bankës qendrore dhe sistemit bankar në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian (BE). Nëpërmjet diskutimeve dhe rasteve studimore, pjesëmarrësit në këtë konferencë diskutuan për përafrimin e politikës monetare, kuadrit rregullator dhe sistemit financiar me standardet e BE-së./ata