Provokimi i rrezikshëm i Izraelit për fillimin e një lufte me Libanin rrezikon përhapjen e konfliktit të Gazës në rajonin më të gjerë, paralajmëroi ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan.
“Unë mendoj se izraelitët mezi po e frenojnë veten për të shkuar në luftë me Libanin. Por unë gjithmonë them se kjo rrugë është një rrugë pa krye. Nëse diçka e tillë ndodh, sigurisht që kjo luftë nuk do të ketë fund”, tha Fidan disa orë pas vrasjes së zëvendësshefit të Hamasit, Saleh al-Arouri në Liban, nga ana e Izraelit, duke sugjeruar se çdo zhvillim tjetër i tillë mund të bëjë që lufta të përhapet.
“Përkundrazi, nëse dëshirojmë që çështja (e Palestinës) të zgjidhet, është e nevojshme të fokusohemi në paqen dhe një zgjidhje me dy shtete”, u tha Fidan gazetarëve në Ministrinë e Jashtme në kryeqytetin Ankara.
Lidhur me atentatin e së martës mbrëma, i cili shkaktoi reagime të gjera edhe pse Izraeli e ka mohuar përgjegjësinë, Fidan tha: “Si do të reagojë Hezbollahu ndaj kësaj? Me fjalë të tjera, do të reagojë duke hyrë plotësisht në luftë apo duke u hakmarrë?”.
Të martën në mbrëmje, një dron izraelit vrau zëvendësshefin e Hamasit Saleh al-Arouri në kryeqytetin libanez Bejrut së bashku me dy komandantë të krahut të tij ushtarak, Brigadat Al-Qassam.
Arouri ishte lideri më i lartë i Hamasit që është vrarë nga Izraeli që nga shpërthimi i konfliktit të Gazës më 7 tetor.
Izraeli ka kryer sulme intensive ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga një operacion ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.
Të paktën 22.185 palestinezë janë vrarë që atëherë dhe 57.035 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, ndërsa rreth 1.200 izraelitë besohet se janë vrarë në sulmin e Hamasit./aa