Afër 100 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në incidentet e shkaktuara nga shirat gjatë javës së fundit, pas reshjeve të dendura të shiut dhe përmbytjeve që goditën pjesët veriperëndimore dhe jugperëndimore të Pakistanit.

Sipas Autoritetit Kombëtar të Menaxhimit të Fatkeqësive (NDMA), shirat e dendur shkaktuan përmbytje të shpejta në provincat Khyber Pakhtunkhwa, Balochistan, Punjab, si dhe në rajonin Xhamu dhe Kashmir të administruar nga Pakistani.

Sipas raportit të fundit të NDMA-së, deri më tani në këto zona janë vrarë të paktën 98 persona dhe 89 të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së strukturave.

Rreth 3.261 shtëpi u dëmtuan po ashtu, 536 prej tyre të shkatërruara plotësisht. Përmbytjet e mëdha dhe rrëshqitja e tokës shkaktuan gjithashtu dëmtime në rrugë dhe ura në zonat kodrinore të provincave Khyber Pakhtunkhwa dhe Balochistan.

Në një njoftim tjetër, NDMA-ja paralajmëroi se reshjet e vazhdueshme do të vazhdojnë deri më 22 prill me përmbytje të mundshme në rajonet Balochistan dhe Khyber Pakhtunkhwa.

“Reshjet e pritshme mund të shkaktojnë përmbytje të shpejta në përroit lokal të disa rajoneve, përfshirë Khuzdar, Ziarat, Zhob, Sherani, Muslim Bagh, Quetta, Pishin, Kech, Panjgur, Gwadar dhe Turbat.

Autoritetet gjithashtu parashikuan reshje të dendura të shiut nga 25 deri më 29 prill, si dhe kërkuan nga qytetarët që të qëndrojnë larg infrastrukturës së dobët dhe të përmbahen nga ngasja ose ecja në rrugë ujore.

Përmbytjet në Afganistan

Ndërkohë, Ministria e Menaxhimit të Fatkeqësive e Afganistanit tha se të paktën 70 persona humbën jetën dhe 56 të tjerë u plagosur si pasojë e shirave të dendur dhe përmbytjeve në disa pjesë të vendit gjatë javës së kaluar.

Agjencia shtetëore e lajmeve Bakhtar, duke cituar raportin e ministrisë tha se përmbytjet shkatërruese dëmtuan gjithashtu 2.627 shtëpi pjesërisht dhe plotësisht, ndërsa mbi 600 bagëti u shkatërruan.

Agjencia e motit në vend parashikoi se reshjet aktuale të shiut do të vazhdojnë deri të dielën./aa