Gazeta izraelite "Yedioth Ahronoth" njofton se vrasja e nënkryetarit të Byrosë Politike të Hamasit, Saleh al-Arouri u krye me një avion luftarak izraelit dhe jo me një mjet ajror të armatosur pa pilot (UAV), dhe se në sulm janë përdorur 6 raketa të drejtuara.

Gazeta dha detaje rreth atentatit ku Arouri dhe 6 persona u vranë më 2 janar në Bejrut të Libanit.

Lajmi, i bazuar në një zyrtar të paidentifikuar të sigurisë libaneze deklaroi se Arouri u vra nga raketat e lëshuara nga një avion luftarak, jo nga një dron, siç ishte raportuar më parë në media.

Raportohet se avioni luftarak ka lëshuar 6 raketa të drejtuara, dy prej të cilave kanë goditur drejtpërdrejt dhomën e takimit të Hamasit në ndërtesë.

"Raketat e përdorura peshonin 100 kilogramë"

Duke nënvizuar se këto raketa janë përdorur nga avionët luftarakë izraelitë, zyrtari theksoi se secila prej tyre peshon 100 kilogramë.

Zëvendëskryetari i Byrosë Politike të Hamasit, Saleh al-Arouri dhe 6 persona me të u vranë në sulmin e kryer nga Izraeli më 2 janar në "Dahiye", që llogaritet bastion i Hezbollahut në Bejrut.

Qeveria e Tel Avivit ende nuk e ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë për sulmin.

Kush është Saleh al-Arouri?

Zëvendës shefi i Byrosë Politike të Hamasit, Saleh al-Arouri lindi më 19 gusht të vitit 1966 në Ramallah.

Arouri, i cili kontribuoi në krijimin e Brigadave Izzeddin Kassam, u dëbua pasi kaloi 15 vjet në burgjet izraelite dhe filloi të jetonte në Liban.

Arouri ishte ndër negociatorët e marrëveshjes së bërë nga Hamasi me Izraelin më 11 tetor 2011, për lirimin e 1.027 të burgosurve palestinezë në këmbim të një ushtari izraelit./aa