Ministrat arabë i përcollën pikëpamjet e tyre për armëpushim dhe zgjidhje politike në Gaza, sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken i cilin vizitoi Egjiptin në kuadër të turneut në Lindjen e Mesme.

Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme egjiptiane thuhet se Blinken krahas ministrit të Jashtëm egjiptian Sameh Shoukry, ministrit të Jashtëm të Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan, ministrit të Jashtëm të Katarit, Mohammed bin Abdulrahman, ministrit të Jashtëm jordanez, Ayman Safadi, ministrit të Shtetit përgjegjës për çështjet e bashkëpunimit ndërkombëtar të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Reem Al-Hashimy, u takua në Kajro edhe me sekretarin e përgjithshëm të Komitetit Ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), Hussein al-Sheikh.

Në takim u trajtuan punimet e zhvilluara për armëpushimin dhe krizën në Gaza si dhe u theksua se refuzohet sulmi ndaj qytetit Rafah dhe iniciativat për eliminimin e çështjes palestineze ose detyrimin e palestinezëve për migrim.

Gjithashtu në takim u potencua se zgjidhja me dy shtete dhe krijimi i shtetit të Palestinës është i pashmangshëm.

Ministrat arabë i shpjeguan Blinkenit se në Gaza duhet të arrihet armëpushim dhe më pas të kalohet në fazën e veprimeve konkrete që synojnë zgjidhjen politik përmes formulës me dy shtete.

Në takim u vendos që në ditët në vijim me pjesëmarrjen e ekspertëve nga vendet pjesëmarrëse të mbahet një takim urgjent me qëllim përcaktimin e hapave konkretë dhe të koordinuar për zgjidhjen e krizës humanitare në Gaza./aa