Familja palestineze që u largua nga bombardimet në qytetin e Gazës në veri të Rripit të Gazës, vazhdon mbijetesën në tendën prej najloni të ngritur mbi rrënojat e një shtëpie të shembur për shkak se nuk kanë mundur të gjejnë vend për të qëndruar në qytetin jugor Rafah në të cilin janë strehuar.

Familja Savvaf është një nga familjet që kanë shkuar në Rafah pasi ushtria izraelite hodhi broshura nga avionët, duke i udhëzuar palestinezët të shkojnë në "zonën e sigurt".

E përbërë prej 4 personash, familja palestineze pasi u largua nga rajoni për shkak të sulmeve ajo ka ardhur në lagjen Tel es-Sultan në qytetin Rafah dhe pasi nuk ka mundur të gjejë vend për të qëndruar në kampet është detyruar të strehohet në mesin e rrënojave të një ndërtese të shembur.

Aishe es-Savvaf në një prononcim për Anadolu ka ndarë përjetimet e tyre dhe ka thënë se për shkak të sulmeve izraelite janë detyruar të largohen nga qyteti i Gazës që ndodhet në veri të Rripit të Gazës. Savvaf shpjegoi se ndërtesa ngjitur me shtëpinë e tyre ku jetonin në qytetin e Gazës u bombardua dhe se u strehuan në një shkollë, ndërsa shpëtuan për mrekulli pasi ndaj shkollës ku u strehuan dhe zonës përreth saj u kryen bombardime.

Përpjekje për mbijetesë mbi rrënoja

Pasi tha se u detyruan të braktisin shtëpinë e tyre por që nuk kanë mundur të gjejnë vend për t'u strehuar në qytetin Rafah ku ata kanë ardhur, Savvaf shtoi se ata qëndruan pranë një familjeje për kohë të shkurtër derisa gjetën vend të sigurt.

"Brenda dhe jashtë qendrave të strehimit në Rafah nuk kanë mbetur vende. Rafah është shumë i mbipopulluar për shkak se ka migrim nga të gjitha qytetet. Nuk kemi mundur të gjejmë as edhe një vend të zbrazët ku mund të ngremë tendën për t'u mbrojtur nga shiu dhe i ftohti i acartë", tha ajo.

Savvaf thotë se më në fund vendosën të ngrenë një tendë të vogël mbi rrënojat e një shtëpie të shembur dhe të mbijetojnë sërish në mesin e grumbujve të rrënojave të një shtëpie që Izraeli e ka bombarduar në Rafah. "Nga rrënojat e qytetit të Gazës kemi migruar në rrënojat e Rafah", tha Savvaf e cila shtoi se tenda prej najloni ku qëndrojnë me familjen prej katër personash nuk i mbron as nga i ftohti, as nga shiu dhe as nga era.

Ajo thekson se janë të privuar edhe nga nevojat më bazike të jetesës.

"Nuk kemi asnjë vend ku të shkojmë. Kampi i refugjatëve është i stërmbushur. Nuk ka vend. Jemi të detyruar të jetojmë në këtë rrënojë. Por, kjo tendë nuk është e përshtatshme për kushtet e dimrit, është aq e dobët sa mund të na rrëzohet mbi kokë nga një erë ose shi i fortë", shtoi Savvaf.

Savvaf i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për ndalimin e sulmeve shkatërruese ndaj Gazës dhe dërgimin e ndihmave humanitare për civilët. "Ja, kjo është situata jonë. Nuk ka asnjë vend ku refugjatët mund të qëndrojnë. Çfarë jeni ende duke pritur?", u shpreh Savvaf.

Gruaja palestineze tërhoqi vëmendjen se avionët luftarakë izraelitë çdo ditë shënjestrojnë rajonet e konsideruara si "të sigurta" dhe palestinezët që janë strehuar këtu pasi janë detyruar të migrojnë në këto rajone.

Zv/drejtorja e Zyrës së Informacionit dhe Komunikimit të Agjencisë së OKB-së Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) në qytetin e Gazës, Inas Hamdan në një deklaratë më parë vuri në dukje se kushtet humanitare në Gaza janë katastrofike.

"Numri i refugjatëve është i madh. Po përjetohet një migrim i paparë deri më tani. Rreth 90 për qind e popullsisë së Gazës janë në situatën e refugjatit", deklaroi Hamdan.

Pushtimi i Gazës nga Izraeli pas 7 tetorit 2023

Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam më 7 tetor 2023 nisi sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit me arsyen e "kundërpërgjigjes për shkeljet e vazhdueshme ndaj palestinezëve dhe vlerave të shenjta të tyre kryesisht ndaj xhamisë Al-Aksa".

Izraeli njoftoi se në sulmet më 7 tetor kanë humbur jetën 1.200 izraelitë ndërsa janë plagosur 5.132 të tjerë.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës janë vrarë 22.313 palestinezë, përfshirë të paktën 9.100 fëmijë dhe 6.500 gra. Ndërsa njoftohet se nën rrënoja ndodhen mijëra të vdekur dhe se po shkatërrohet infrastruktura civile duke shënjestruar institucionet arsimore dhe spitalet ku është strehuar popullata.

Ushtria izraelite ka njoftuar se që nga 7 tetori kur filloi sulmet e saj në Rripin e Gazës e deri më tani janë vrarë 509 ushtarë të saj, ku 175 prej tyre në procesin e pushtimit nga toka. Në "pauzën humanitare" 4-ditore të arritur më 24 nëntor dhe që u zgjat për 3 ditë u liruan në mënyrë reciproke 81 pengje izraelite ndërsa nga burgjet izraelite u liruan 240 palestinezë. Në anën tjetër Izraeli vazhdoi të arrestojë dhe burgosë mijëra palestinezë.

Në sulmet e forcave izraelite dhe kolonëve të paligjshëm hebrenj në Bregun Perëndimor dhe Kudsin nën pushtim, që nga 7 janari 2023 e deri më tani janë vrarë 325 palestinezë. Ndërkohë në konfliktin mes ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut në vijën kufitare të Libanit që nga 8 tetori 2023 e deri më tani, kanë humbur jetën 28 civilë libanezë, 147 anëtarë të Hezbollahut, 5 civilë izraelitë dhe 9 ushtarë izraelitë./aa